Aksionet e familjes Halili në shitje? Tirana reagon zyrtarisht: Skenar me prapavijë dashakeqe, skenar spekulativ

Tirana

Tirana, ditën e sotme në mediat e shkruara u përfol se aksionet e familjes Halili te klubi bardheblu kanë dalë në shitje për shkak të borxheve. Zyra e Përmbarimit privat Albase shpalli daljen në ankand të 66% të aksioneve të klubit të futbollit Tirana, të cilat i përkisnin presidentit të klubit Refik Halili dhe që ishin prej kohësh nën sekuestro, një ankand ky që do të mbyllet në datën 22 prill, të martën e ardhshme dhe ku çdo i interesuar mund të blejë kuotën e mazhorancës të klubit më të titulluar në vend, teksa pjesa tjetër prej 34% të aksioneve është në pronësinë e Bashkisë Tiranë.

Një lajm i tillë është përgënjeshtruar nga klubi bardheblu që me anë të një komunikate ka qetësuar tifozët e Tiranës. Në reagim thuhet se kjo është pjesë e një skenari të qëllimshëm, totalisht spekulativ dhe me prapavijë dashakeqe dhe komploti, për të synuar tjetërsimin e aseteve të klubit të Tiranës.

REAGIM ZYRTAR

Klubi i Futbollit Tirana, nëpërmjet këtij reagimi, kërkon të sqarojë opinionin publik për një dezinformim të qëllimshëm, që është përhapur në media, për sa i përket falimentit të klubit! Ky lajm, është pjesë e një skenari të qëllimshëm, totalisht spekulativ dhe me prapavijë dashakeqe dhe komploti, për të synuar tjetërsimin e aseteve të KFT.

Ju bëjmë me dije se ekipi ligjor dhe stafi i klubit, është në dijeni të plotë të këtij skenari dhe ka marrë të gjitha masat, për ta bllokuar dhe denoncuar në të gjitha instancat ligjzbatuese përfshirë dhe hapat ligjorë te ndjekjes penale. Njëkohësisht, klubi thekson se këto janë çështje të cilat synojnë të dëmtojnë imazhin e Klubit më të suksesshëm në historinë e futbollit shqiptar, duke siguruar se nuk ka asnjë problem likuiditeti.

Asnjë veprim abuziv dhe asnjë person, kushdo qoftë ai, nuk do mund të arrijë të realizojë skenarë që dëmtojnë interesat e Klubit të Futbollit të Tiranës si në aspektin administrativ, ashtu dhe në atë sportiv.
Sigurojmë të gjithë dashamirësit, tifozët, bashkëpunëtorët dhe partnerët, se Klubi i Futbollit Tirana, do të vazhdojë rrugëtimin e tij, për të arritur objektivat sportivë dhe se asgjë dhe askush, nuk mund dhe nuk do të cënojë ekzistencën, mbarëvajtjen apo edhe funksionimin e klubit.
Zyra për shtyp
KF Tirana

https://www.youtube.com/watch?v=X26VUJtGeBk

Related posts

“Rivalë kemi vetëm Egnatian dhe Vllazninë”, Bytyçi në prag të sfidës ndaj Laçit: E presim me entuziasëm, do ia dalim

Ish-portieri rumun nuk njeh limite, komenton Kosovën: Në kohën tonë do i rrihnim, erdhën me planin gati

E FUNDIT/ Vllaznia nis punën e rinovimeve, mbrojtësi firmos deri në vitin 2026 (FOTO)