Tirana drejt shpërbërjes, 5 titullarë mbeten pa kontrata në fund të sezonit (EMRAT)

Tirana

Tirana po mbyll një sezon me oscilacione, por nga ana tjetër po vrapon që të mbajë të bashkuar skuadrën edhe për kampionatin e ri. Në këtë moment që flasim, janë pesë titullarë apo potencialisht të tillë, që duhet të rinovojnë me skuadrën bardheblu. Bëhet fjalë për dy portierët Gentian Selmani, Leon Kozi, mbrojtësit Gledi Mici, Florjan Përgjoni, si dhe anësorin Rimal Haxhiu. Të pestë janë ose pa kontratë ose do të zhvillojnë bisedime për edhe një vit tjetër bardheblu.

PËRGJONI – I pari problem që ka menaxhimi i Tiranës quhet Florjan Përgjoni. Mbrojtësi i majtë që mban edhe shiritin e kapitenit, në fund të sezonit mbyll zyrtarisht bashkëpunimin me bardheblutë. Klubi Tirana ka shumë dëshirë që mbrojtësi të vazhdojë me 26 herë kampionët. Përgjoni për momentin nuk ka rinovuar, por ka deklaruar se në Shqipëri do të firmosë vetëm me bardheblutë. Nga ana tjetër, ai ka vënë si kusht për rinovimin, një klauzolë, që nëse ka një opsion për jashtë, të largohet. Një xhep, që Tirana nuk e pranon, pasi nëse Përgjoni largohej në 31 gusht, do të hidheshin në erë planet e bardhebluve. Deri në fund do të pritet për këtë lojtar nëse do të ketë marrëveshje.

SELMANI – Një tjetër titullar që duhet të rinovojë është Gentian Selmani. Edhe gardianit i mbaron kontrata në fund të sezonit dhe palët duhet të marrin një vendim nëse do të vazhdojnë apo jo. Parimisht gjërat janë diskutuar, por akoma nuk ka një vendim për të ardhmen e lojtarit nëse do të jetë pjesë e bardhebluve edhe kampionatin tjetër. Kujtojmë që Selmani ka luajtur vetëm një vit, ndonëse ka dy sezone te bardheblutë.

KOZI – Leon Kozi është një tjetër portier që duhet të vendosë të ardhmen. Sportisti ka një kontratë, e cila përfundon në qershor, por me të drejtë rinovimi nga klubi edhe për një vit. Pra, nëse palët bien dakord, kontrata mund të zgjatet. Kozi kërkon garanci të luajë, pasi këtë vit është “salduar” në stol. Tirana këtë vit, refuzoi disa oferta të Dinamos, Elbasanit dhe Egnatias për të mbajtur gardianin e akademisë.

GLEDI MICI – Situata me Micin është disi ndryshe. Mbrojtësi është lider në këtë repart dhe një shembull për të gjithë. Mici mbaron kontratën dhe pritet të shihet nëse klubi do t’i ofrojë rinovimin. Eksperienca e mbrojtësit, paçka moshës, i duhet skuadrës bardheblu.

HAXHIU – Edhe për Rimal Haxhiun, mund të diskutohet si te rasti i Kozit. Lojtari ka një kontratë që mbaron në verë, ndërsa klubi thotë në 2026-ën. Në mes duhet të jetë opsioni automatik i rinovimit, por palët në këtë rast duhet të vendosin bashkërisht zgjatjen e marrëveshjes.

LEXO ME SHUME:Zona e mbijetesës, java e 30-të mund të tregojë shumë; Skënderbeu e Tirana me transferta ferri

Related posts

Armando Broja në stërvitje me Everton, grumbullimi me Kombëtaren mbetet mister për sulmuesin

Gjermania fton dy lojtarë me origjinë shqiptare, zbehen shpresat që të vishen kuqezi (EMRAT)

Tentuan ta grabisin, sulmohet me thikë lojtari i Flamurtarit dhe përfundon në spital (FOTO)

1 comment

Bledi Shkëmbi përpara Egnatias: Nuk e kemi luksin të gabojmë 14/03/2025 - 14:54
[…] LEXO ME SHUME:Tirana drejt shpërbërjes, 5 titullarë mbeten pa kontrata në fund të sezonit (EMRAT) […]

Comments are closed

Add Comment