Tirana, krizë brenda e jashtë fushe, Shkëmbi kërkon “ngrohtësinë” e klubit; dy pikë në katër ndeshje

Asgjë nuk po shkon mirë për Tiranën, tashmë zyrtarisht në krizë me rezultatet në fushë dhe problemet jashtë saj. E dënuar të endet nëpër Shqipëri në kërkim të një stadiumi për të luajtur ndeshjet brenda, e tronditur pas aktit të shëmtuar të tifozëve në ndeshjen me Vllazninë, që me siguri do t’i kushtojë klubit, Tirana është në rrëmujë të plotë institucionale, e ndërkohë gjendja pasqyrohet edhe te rezultatet e skuadrës në fushë.

Ndeshja me Vllazninë ishte e katërta radhazi që Tirana nuk e njeh fitoren. Jo se më parë i kishte fitoret me shumicë, kishte arritur vetëm një, por deri atëherë ishte e pathyeshme me barazimet radhazi, që tani mund t’i kujtojë me mall. Në këto katër javë, bardheblutë kanë pësuar dy humbje dhe kanë marrë vetëm dy pikë, më pak se kushdo tjetër. Dy pikë është edhe diferenca me Bylisin që mban vendin e fundit, por që tashmë ecën më mirë se Tirana.

Në këto kushte, rreziku për Tiranën është real dhe morali i ulët i shkaktuar nga rezultatet por edhe bredhjet për të gjetur stadium, shpeshherë shoqëruar me refuzim, sigurisht që nuk ndihmojnë dhe vetëm sa e rëndojnë më tepër situatën. Tirana është në krizë të pamohueshme dhe i vetmi që mund ta ndihmojë të ngrejë kokë është shpirti legjendar bardheblu, dikur krenaria e klubit dhe e tifozëve.

Related posts

“Po vi i dëmtuar të luaj me Shqipërinë, meritoj të jem titullar”, Uzuni shfryn me humbjen dhe Sylvinhon: Te Granada i gjuaj unë penalltitë, këtu nuk e di…

DËSHTIM! Nga ëndrra për elitën përfundojmë në Ligën C; Ukraina na “gjunjëzon” në Tiranë (video)

Shqipëri-Ukrainë do të nisë me 1 minutë heshtje për Martin Canin