Derbi i shumëpritur i kryeqytetit përfundoi me një triumf të pastër të Tiranës, që mposhti Partizanin me shifrat 0-3. Bardheblutë treguan dominim dhe efikasitet gjatë gjithë lojës, duke shënuar nga fillimi e deri në fund, ndërsa të kuqtë nuk arritën të gjejnë kurrë rrugën e golit. Atmosfera në stadium ishte elektrizuese, por Tirana e ktheu ndeshjen në një spektakël personal, duke i dhënë një goditje të rëndë rivalit historik.
Që në minutat e para u kuptua se Tirana kishte hyrë në fushë me vendosmëri të madhe. Me një organizim të rregullt në mesfushë dhe shpejtësi në krahë, bardheblutë krijuan presion të vazhdueshëm. Goli i parë erdhi si pasojë e këtij dominimi, duke ngritur peshë tribunat e tifozëve bardheblu dhe duke lënë të kuqtë të shokuar me golin e Falaye në minutën e 19′.
Partizani kërkoi të reagonte, por sulmet e tyre ishin të zbehta dhe shpesh u ndalën nga mbrojtja e fortë e Tiranës. Përpara pushimit, Tirana dyfishoi rezultatin me Patsatsian i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.
Në fillim të pjesës së dytë, pritej një reagim i fortë nga Partizani, por ai nuk erdhi. Në vend të kësaj, Tirana vazhdoi të dominojë ritmin e lojës dhe e ktheu ndeshjen në një demonstrim force. Goli i tretë me Tabekou në minutën e 74′ vulosi rezultatin dhe shuar çdo shpresë të Partizanit për një rikthim.
Ndërkohë, tifozët bardheblu festuan gjatë gjithë minutave të mbetura, duke e kthyer derbin në një festë të madhe për skuadrën e tyre.
Me këtë fitore, bardheblutë forcojnë pozitat e tyre në kampionat dhe japin një mesazh të qartë se janë pretendentë seriozë për titullin.
Nga ana tjetër, Partizani mbetet në një krizë rezultatesh dhe tashmë pritet me interes reagimi i skuadrës dhe stafit teknik pas këtij zhgënjimi të madh për tifozët e kuq.