Miqësorja mes Tiranës dhe Burrelit përfundoi në barazim 1-1, duke dhënë shumë sinjale për gjendjen fizike dhe taktike të skuadrës bardheblu para nisjes së sezonit të ri. Ajo që ra në sy ishte fakti se klubi bardheblu nuk bëri asnjë postim para dhe pas ndeshjes, për të informuar tifozët në lidhje me ndeshjen dhe rezultatin.
Në pjesën e parë, Tirana kaloi e para në epërsi falë golit të shënuar nga Tabakou, i cili shfrytëzoi një moment pasiviteti në mbrojtjen e Burrelit dhe finalizoi me saktësi një aksion të ndërtuar nga krahu i djathtë.
Në pjesën e dytë, trajneri Vangjel Mile bëri disa zëvendësime, duke futur në fushë pjesën tjetër të lojtarëve për të testuar të gjithë grupin. Edhe pse ritmi ra pak, Tirana vazhdoi të dominojë zotërimin e topit dhe të krijojë raste, por skuadra nuk arriti të gjejë golin e fitores.
Në fund, ndeshja përfundoi 1-1, një rezultat që reflekton balancën mes eksperiencës dhe forcës fizike të të dy ekipeve. Ky test i shërbeu Tiranës për të vlerësuar gjendjen e lojtarëve dhe për të bërë përgatitjet e fundit taktike për ndeshjet e kampionatit. Nga ana tjetër, Burreli tregoi se ka lojtarë të rinj dhe ambicie për të qenë konkurrent në kampionat, duke u mbrojtur mirë ndaj një prej skuadrave më të forta të Superiores.