Aktivistja Evi Kokalari gjatë ditëve të fundit ka reaguar ashpër ndaj Sali Berishës dhe ka hedhur akuza për manipulime e pretendime për vjedhje votash. Kokalari nga postimet e vazhdueshme në rrjetin social ‘Facebook’ ka dalë pro kandidimit të Ilir Alimehmetit dhe në mbështetje të Gert Bogdanin, ndërsa ka injoruar deputetin Belind Këlliçi. Kokalari ka bërë edhe një sqarim të fundit më lidhje me mbështetjen e kandidatëve për Tiranën.“Thashë një fakt mbrëmë, qe Bogdani është shumë më i artikuluar dhe ka shumë më nivel në komunikim por dhe intelekt se tullumbaci. Ky është fakt. Kjo s’do të thotë që mbështes Bogdanin. Përpara disa ditësh, shkruajta një fakt që s’më pëlqeu hiç për Alihmemetin. Kjo s’do të thotë që jam kundër tij. Madje, e inkurajova te hyjë në garë. Asnjëherë nuk kam mbështetur një kandidat. Në asnjë nga garat e PD-së së rithemeluar. Kjo nuk është e rastësishme. Dhe jo, se kam idenë fare kush është Bogdani dhe nuk ja di lidhje me inceneratorët që thoni. As Alihmemetit nuk ja di bëmat, qofshi te mira apo jo. E gjithë lufta ime në garat e fundit kanë qenë kundër atyre që manipuluan votat. Dhe në garën e FRPD kam komunikuar me të gjithë kandidatët bashkë (pa manipuluesin), pra s’kam bërë dallime. Prandaj, mos u mundoni të gjeni kleçke në çdo gjë që shkruaj. Nuk kam ndërmend të mbështes asnjë dhe në këtë garë. Ajo është detyra juaj me që jetoni në Tiranë. Të ishte për mua, vetëm konservatoret ju nxjerrin në drite, dhe në Shqipëri ka plot, por nuk ngatërrohen dhe si vë dot as faj”, shkruan Kokalari.
Akuzat ndaj Këlliçit
Ndërkohë, kujtojmë se prej disa kohësh, Evi Kokalari dhe deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi po përplasen, pas denoncimeve që nisi Kokalari ku ka nisur denoncimet për manipulimin e votave që sipas saj ka bërë Belind Këlliçi, ku ka postuar foto me numra dhe shkruan se janë numrat respektivë të përdorur në listën e votimit për kandidatët e Këshillit Kombëtar të PD-së më 30 prill. Sipas saj, me anë të kësaj liste Këlliçi ka lobuar dhe orientuar votuesit për kandidatët që janë zgjedhur. Kokalari thotë se nga 67 personat në listë që ka publikuar, 43 prej tyre janë zgjedhur dhe përbëjnë 15% të Këshillit. Sipas Kokalarit, Këlliçi ka fuqizuar kështu klanin e tij dhe kanë lënë jashtë liste të rinjtë e tjerë që kandiduan. Aktivistja Evi Kokalari ka akuzuar Belind Këlliçin se ka ndërhyrë në zgjedhjet e anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Ajo e ka akuzuar edhe se kishte orientuar votat për të dalë vetë më i votuari në Partinë Demokratike për zgjedhjet e Këshillit Kombëtar.
Salianji fiton gjyqin ndaj Kokalarit
Nga ana tjetër, Gjykata e Posaçme e Apelit ka shpallur ditën e djeshme deputetin demokrat Ervin Salianji të pafajshëm në ‘betejën’ përballë aktivistes amerikano-shqiptare Evi Kokalari. Apeli rrëzoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së parë që e kishte dënuar Salianjin për fyerje, duke e rrëzuar këtë akuzë dhe shpallur atë të pafajshëm. Salianji ishte dënuar me 50 mijë lekë. Sakaq, Apeli ka lënë në fuqi edhe vendimin e marrë nga Shkalla e Parë më 25 mars, që e shpalli të pafajshëm për akuzën e ngritur nga Kokalari se kishte shpifur ndaj saj. Deputeti i Partisë Demokratike gjatë një interviste televizive, e cilësoi Kokalarin si ‘skizofrene’ dhe njeri pa përfaqësim. Evi Kokalari paditi në SPAK Ervin Salianjin. por GJKKO e ka shpallur të pafajshëm.‘‘Një që ka ngjitur në Foltore Berisha, është si Shën Eleonora që e mbante veten për të shenjtë, një që ka gjithë elementët e skizofrenisë dhe ajo nuk mund të bëjë copë asnjë njeri, pasi nuk bën copë një njeri që është në këto përmasa, e zhytur shumë në këto fekalet, nuk bën dot. Janë njerëz pa përfaqësim. Kokalari është një emigrante e papunë, bashkëshorti i saj është i përfshirë në partinë Agimi i Artë, i financuar nga qarqe antishqiptare. Janë njerëz më shumë se të shpifur, nuk kanë asnjë kontribut në Partinë Demokratike”, shprehet deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji.