Lojtarët e Partizanit në protestë për vonesën e pagave. Ky ishte kryelajmi i sotëm sportiv, i cili vinte si rrufe në qiell të hapur, në prag të derbit të madh të kryeqytetit me Tiranën. Kjo gjë ka alarmuar drejtorin e të kuqve, Olsi Rama, i cili ka dalë përkrah trajnerit Daja në konferencë për shtyp, duke sqaruar situatën:
KONFERENCA-Në fakt u zgjova në mëngjes me këtë lajmin e botuar dhe ta kisha ditur që do dilte një lajm i tillë nuk do të isha unë këtu, pasi do të ishte ose lojtari më i vjetër te Partizani, Alban Hoxha, ose ndonjë nga ata veteranët e tjerë që kanë kohë në ekip, si Bardhi apo Belica, që po bën tri vite.Vinin ata t’ju tregonin korrektësinë e klubit të Partizanit me pagat, t’ju tregonin të gjithë mënyrën se si procedohet.
Në nivel thashethemi nuk ka nevojë të sajohen gjëra që shkova unë urgjentisht dhe fola me ekipin, sepse për çudi fare nuk u kam folur lojtarëve dje. Mjafton të shikohet te tatimet rregullsia e pagesave të Partizanit. Përveçse paguajmë më shumë se të gjithë, jemi më të rregulltit me pagesat që bëjmë. Këtë mund ta shikoni.
FJALIM PARA EKIPIT– Kam mbajtur një para ndeshjes me Skënderbeun dhe ju keni qenë të pranishëm. E keni parë që foli trajneri përpara. Jam pothuajse përditë në stërvitje. Nuk ka nevojë të jem çdo ditë. Nuk e ndjej të nevojshme të jem atje, pasi gjërat shkojnë shumë mirë.Iki për kënaqësinë time, të flas me trajnerin e të pi ndonjë kafe. U kam thënë edhe lojtarëve se jam shoku juaj, miku juaj, edhe avokati juaj në të gjitha gjërat që ndodhin. Jam edhe drejtori. Nuk kishte asgjë përtej normales që të shkojë të flisja. Kemi raporte shoqërore”.
RIKTHIMI I TIFOZËVE– Janë gjëra që vendosen nga Komiteti i Ekspertëve. E kemi parë të gjithë që në Shqipëri gjithçka po shkon drejt përmirësimit. Nëse ka një ekip që është i interesuar për tifozët, është Partizani. Rikthimi i tifozëve do ishte një gjë e madhe për Partizanin.Është ende herët për rikthimin e tyre. FSHF duhet të bëjë një kërkesë, siç bëri për ndeshjen me Anglinë. Nuk mendoj se ndeshja me Anglinë është më e rëndësishme se sa ndeshjet e kampionatit shqiptar, por Federata e mori mundimin për të bërë kërkesë. Nuk mund ta bëjë Partizani kërkesën”.