“Të hidhen themele të forta, jo më Dinamo 1-vjeçare”, ish-kapiteni Artion Poçi shpreson për një rikthim ndryshe në Superiore

Tri janë skuadrat kanë shënjuar karrierën e tij, por me Dinamon është më i lidhur se me Apoloninë dhe Besën. Artion Poçi, ish-mesfushori i njohur fierak, ka luajtur për shumë vite me fanellën blu, ka mbajtur shiritin e kapitenit në krah dhe ka fituar trofe. E ndien si pjesë të tijën dhe tani që Dinamo është kthyer në Superiore edhe ai është entuziast dhe si gjithë dinamovitët shpreson për një rikthim ndryshe.

Poçi thekson se është momenti që kjo skuadër historike të hedhë themele të forta në elitën e futbollit shqiptar dhe jo të ndërtojë një grup vetëm sa për një vit.
“Sigurisht që më bëhet qejfi për rikthimin, si gjithë atyre që kanë luajtur për Dinamon dhe tifozëve të saj. Shpresoj shumë që drejtuesit e klubit të kenë zënë mend dhe t’i bëjnë gjërat ndryshe këtë herë. Unë nuk do të doja më një Dinamo njëvjeçare në Superiore. Është koha që kjo skuadër të hedhë themele të forta dhe të jetë e përhershme në nivelin elitar të futbollit shqiptar.

Të ketë një organizim siç ka qenë më parë ky klub, me akademinë e vet, që të prodhojë vetë lojtarë. Pozitiv është fakti që tani Dinamo ka kompleksin e vet dhe po ashtu dimë që kushtet financiare janë të mira. Kështu që Dinamo nuk ka pse të vuajë.”

Related posts

Davide Ziu, talenti shqiptar firmos kontratën si profesionist me Renaten: Ëndrra ime të përfaqësoj Kombëtaren (video)

Flamurtari kërkon ngjitjen në elitë, transferon ish-futbollistin e Dinamos (ZYRTARIZIMI)

Krijoi faturë fiktive për llogari të Ilir Beqajt, SPAK vendos masë sigurie për ish-drejtorin e Partizanit