Është pikërisht sezoni i kumbullave shahine, frutat me shijen e tyre fantastike të athët e majhoshe.
Disa preferojnë t’i konsumojnë thjeshtë si fruta, disa të tjerë i shoqërojnë me kripë, por për amvisat ato shndërrohen edhe në disa receta të shijshme gatimi, siç është tava me mish e kumbulla shahine.
Është një recetë fantastike pjesë e gatimeve nga amvisat shqiptare.
Një gatim special me një shije unike, kombinuar me më të freskëtat që ofron stina kumbullat shahine dhe qepët e njoma.
Më poshtë do të gjeni recetën fantastike të këtij gatimi të veçantë, i cili padyshim do të kënaqë shijen e gjithë familjes.
Përgatitja e Tavës me Kumbulla Shahine
Përbërësit
- 4-5 thela mish qengji ose viçi (sipas preferencës)
- 300 gr kumbulla shahine
- 6-7 qepë të njoma
- 1 kokërr qepë e thatë
- 4 lugë vaj ulliri
- Kripë
- Majdanoz
- Kopër
- Piper
Përgatitja
Si fillim prisni hollë qepën e thatë dhe ato të njoma.
Më pas vendosni në një tenxhere me vaj ulliri dhe kaurdisini derisa volumi i tyre të bjerë.
Shtoni thelat e mishit dhe vijoni t’i kaurdisni, më pas shtoni kumbullat, kripën, piperin, majdanozin dhe koprën e prerë hollë.
Kaurdisini të gjitha bashkë për pak minuta e më pas hidhni ujë derisa të gjithë përbërësit të mbulohen.
Lërini të zjejnë derisa uji të shterojë në gjysmë e më pas transferojini në një tavë balte ose në një tavë tjetër pjekjeje.
Futini të piqen në furrë të parangrohur në 180 gradë derisa tava të mbetet me lëngun e vet.
Shoqërohet në mënyrë fantastike me sallata të freskëta të stinës.
Vlerat e Kumbullave Shahine
Kumbulla Shahine përmirëson sistemin tretës dhe forcon trupin që të jetë më rezistent ndaj sëmundjeve.
Sipas të dhënave ato ruajnë shëndetin e zemrës, parandalon ngritjen e kolesterolit në gjak, atakun në zemër, çrregullimet e rrahjeve të zemrës.
Këto fruta ndihmojnë sistemin tretës, lëvizjen dhe pastrimin natyral të zorrëve.
Ndihmojnë shëndetin e sistemit nervor, përmirësojnë kujtesën, largojnë stresin, përmirësojnë gjumin dhe oreksin.