“Tatimi mbi pagat do të ulet në qershor”/ Ministri Mete prezanton masat lehtësuese: Në sektorin publik dhe privat do…

Sipas Ministrit të Financave Ervin Mete, në muajin qershor pritet të prezantohen disa masa lehtësuese sa i përket tatimit mbi pagën për të punësuarit në sektorin publik dhe privat.

 

Ervin Mete, i pranishëm në forumin e CEO-ve të Dhomës Amerikane të Biznesit, u shpreh se rritja për herë të parë e vlerësimit nga “Standard&Poor’s” për Shqipërinë, nga B+ në BB- është një vlerësim i përpjekjeve për rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe forcimin e financave publike. Ministri Mete tha se ky vlerësim do të forcojë më tej pozitat e jashtme të Shqipërisë dhe do të shoqërohet me përfitime konkrete për ekonominë e vendit.

“Ekonomia e vendit po kalon një moment të mirë dhe këtë e konfirmoi edhe Standard&Poor’s. Treguesit makroekonomikë janë përmirësuar ndjeshëm, pozicioni i jashtëm i Shqipërisë është përmirësuar falë performancës shumë të mirë të sektorit të turizmit, i cili gjatë vitit të kaluar solli afro 4.2 miliardë euro të hyra në ekonomi, me një rritje prej 47% krahasuar me vitin 2022. Investimet e huaja arritën në nivelin më të lartë historik në vitin 2023, prej afro 1.5 miliardë euro.

Nisur nga performanca shumë e mirë e të ardhurave dhe në mënyrë që këtë momentum të mirë që po kalon ekonomia ta përkthejmë në një shpërndarje më të drejtë të mirëqenies për qytetarët, parashikojmë që si një masë lehtësuese për të punësuarit, në sektorin publik dhe privat, duke nisur nga muaji korrik, të rrisim kufirin mbi të cilin aplikohet shkalla e sipërme e tatimit mbi pagën”, tha ndër të tjera ministri i Financave.

Ministri i Financave tha po ashtu se edhe detyrimet e prapambetura zbritën në nivelin më të ulët dhe se në fund të vitit 2023 nuk rezulton asnjë detyrim i prapambetur sa i përket rimbursimit të TVSH-së për bizneset.

“Jemi aktualisht në hapat e fundit të konstituimit të Këshillit Tatimor dhe gjej rastin të ftoj edhe njëherë edhe anëtarët e Dhomës Amerikane të Biznesit të aplikojnë për t’u bërë pjesë aktive e këtij Këshilli. Jemi gjithashtu në një komunikim vazhdues me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të finalizuar një strategji të rishikuar për mbledhjen e të ardhurave, me synim të një strategjie sa më koherente, që merr në konsideratë zhvillimet dhe treguesit e fundit makrofiskalë, me fokus rritjen e miradministrimit fiskal dhe gjithashtu në frymën e ruajtjes së një qëndrueshmërie të legjislacionit fiskal”– tha Mete.

Ai e mbylli fjalën e tij duke nënvizuar faktin se ky moment i mirë që po kalon ekonomia e vendit, treguesit e përmirësuar makroekonomikë, si dhe vlerësimet e marra nga institucionet financiare ndërkombëtare nxisin më tej përpjekjet dhe vendosmërinë për të thelluar ritmin e reformave.

Related posts

Monedhat e huaja thellojnë rënien/ Kursi i këmbimit për ditën e sotme, 27 shtator 2024

Luhatje të papërfillshme në monedhat e huaja/ Kursi i këmbimit, 22 gusht 2024

Monedhat e huaja në rënie/ Kursi i këmbimit për sot, 24 korrik 2024