Qeveria “Rama” duket se reflektoi. U desh që banorët e zonës përreth Rinasit të protestonin, duke mos dërguar fëmijët në shkollë, në mënyrë që Autoriteti Rrugor Shqiptar të mësojë se në fakt, në zonën e Shqipërisë së Mesme mungon një aks i rëndësishëm, i cili duhet të lidhë vendin në drejtimin veri-jug. Megjithatë qeveria ka prioritet tunelin te vilat e Palasës apo incineratorët që nuk gjenden asgjëkundi.
Historia pesëditore e vendimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar për të zgjidhur lëmshin e trafikut në Shqipërinë qendrore, duke bërë me një sens lëvizjeje rrugën drejt Aeroportit të Rinasit demonstron shumë humbjen e kontakteve me realitetin të zyrtarëve të vendit, por demonstron gjithashtu se sa të palogjikshme i ka prioritetet e ndërtimit të rrugëve kryeministri Edi Rama.
Rama, i cili është në pushtet që nga viti 2013, fillimisht vendosi të mos ketë prioritet rrugët, dukshëm për shkak se ministria e rrugëve ishte nën kontrollin e ish-aleatit të vet LSI, dhe, hamendësohet, se, duke qenë se korrupsioni është një burim i madh i fuqisë politike në vend, duke dhënë para për rrugët, detyrimisht kjo sillte fuqizimin e aleatit të padëshirueshëm.
Dhe pas vitit 2017, kur e mori pushtetin vetëm, vendosi që t’i hedhë paratë në disa projekte të çuditshme, me forma të çuditshme prokurimi. Sot, nëntë vjet pas ardhjes në pushtet, prioritetet e qeverisë së tij janë ndërtimi i një tuneli të kushtueshëm që lidh vilat e reja të elitës së re në Palasë me vilat e tyre të vjetra në Golem si dhe një rrugë malore që nuk përfundoi kurrë, por që kushtoi sakaq qimet e kokës, për të lidhur Tepelenën me Sarandën.
Ndërkohë, përgjatë të gjithë këtyre viteve, një prioritet akut për ekonominë e vendit ulëret në Shqipërinë Qendrore. Aksi Thumanë-Kashar, gjithsej 20 kilometra autostradë, e cila duhet të lidhë autostradën ekzistuese Tiranë-Durrës me autostradën ekzistuese, por kurrë të përfunduar Thumanë-Laç.
Ka gjithsej dy rrugica që lidhin autostradën Tiranë-Durrës me veriun e vendit, me Kosovën dhe me Malin e Zi. Njëra kalon përmes qytetit të Kamzës dhe tjera për në Vorë. Qytetarët zgjedhin rrugën e Rinasit si një alternativë më e shkurtër për të mbërritur në Tiranë në krahasim me Vorën, dhe krahasimisht më e shpejtë në krahasim me Kamzën. Gjatë verës, hyrja dhe dalja nga Tirana drejt veriut shoqërohet me orë të gjata trafiku, pavarësisht se cilën rrugë zgjedh të përshkruash. Logjika ta do se ndërtimi i autostradës Thumanë – Kashar, gjithsej vetëm 20 kilometra, është një investim i logjikshëm dhe me leverdi sepse i shërben të 2 milionë kosovarëve që të vizitojnë bregdetin, krahas banorëve të Shqipërisë së veriut apo turistëve që zbresin nga Mali i Zi. Por prioriteti i qeverisë duket se janë vilat e Palasës dhe shqetësimi kryesor i vendit duhet të jetë nëse elita e re e Shqipërisë shkon te vila e tyre e shtatë për katër orë apo për tre orë e gjysmë.
Dhe ndërsa përreth Aeroportit të Rinasit planifikohen dhe po ndërtohen blloqe të reja me vila, pallate e objekte komerciale a industriale, vendi nuk ka marrë mundimin që të bëjë ndonjë plan të përgjithshëm për rrjet rrugor rural apo urban në këtë zonë, dhe as ndonjë plan të përgjithshëm për kanalizime të ujërave të zeza apo për furnizim me ujë.
Siç u kuptua nga protesta e banorëve të zonës, rruga e Rinasit është njëkohësisht aksi kombëtar veri-jug, rruga e aeroportit dhe rruga që lidh fshatrat e shtrira përgjatë saj.
Prioritetet e qeverisë me tunel Llogaraje dhe tunel Skërfice nuk ngjajnë shumë të logjikshme.
Natyrisht që ndërtimi i rrugëve nuk është aspak punë e lehtë sot. Kostot janë fryrë përgjatë shumë viteve keqmenaxhim dhe korrupsion të hapur, si rasti i DH Albania, sa asnjë lloj buxheti shteti nuk ka fuqi më të paguajë koston e një autostrade.