Viti i ri akademik ka nisur me auditorë të zbrazura. Studentët janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit, për të protestuar për vendimin e Komitetit të Ekspertëve, për të zhvilluar mësimin online. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi u shpreh se ky vendim nuk është aspak i lehtë, por në rrethana të tilla është i domosdoshëm.
“Nuk është aspak e këndshme të uroj vitin e ri akademik me auditorë të zbrazëta. Janë rrethana që s’mund t’i shmangim, por t’i përballojmë, me sa më shumë qetësi, vendosmëri e kurajo. Jam e vetëdijshme për vështirësitë. Mendoj që kjo është e vetmja mënyrë për t’ia dalë, për përballimin dhe parandalimin që mund të na vijnë nga të panjohura më të mëdha si COVID-19. Vendimi i Komitetit të Ekspertëve, nuk është aspak i lehtë. Prandaj si ministre arsimit, dua forcë dhe fleksibilitet. Është shumë e vështirë të menaxhojmë situatën duke ndjekur dhe metodat specifike. Jam informuar se janë marrë të gjitha masat për nisje dhe vazhdim të mbarë të vitit akademik”, tha ministrja Kushi.
Studentët e mbledhur para ministrisë, shprehen kundër mësimit online. Disa prej tyre, u shprehën se ‘nuk mund të bëhen doktorë online’. Ndërkohë sot në Facebook-un e Dritare.net, në emisionin “Sot me Xhesin”, diskutuam rreth kësaj teme, për të ndarë argumentet pro dhe kundër.