Egnatia rikthehet te fitorja në kampionat dhe këtë e bën ndaj një kundërshtari direkt si Partizani. Në javën e 31- të Kategorisë Superiore Egnatia fiton me shifrat 2-1. Humbja ndaj Erzenit është harruar shpejt te rrogozhinasit që bëjnë kthesë ndaj kryeqytetasve. Një ndeshje me ritëm e raste, ku në pjesën e parë vendasit do të ishin më kërkues. Në minutën e 14’ do të vinte goli i avantazhit.
Ibrahimoglu pason te Ndreca i cili jep një asist perfekt për Montenegron në qendër, ku ai nuk gabon duke shënuar golin e avantazhit. Një realizim i tillë “trullosi” Partizanin që e kishte të vështirë të reagonte. Nisur nga kjo situatë, Egnatia do të shënonte sërish. Në minutën e 30’ një kundërsulm i shpejtë i Fernandos i cili pasi bën 80 metra me topin në këmbë duke kaluar tre lojtarë të të kuqve, pason për Montenegron i cili me qetësi mposht përsëri Qirkon. 46’
PJESA E DYTË
Pjesa e dytë nis me zëvendësim të trefishtë te Partizani. Keko, Zekolli dhe Atanaskoski i lënë vendin Skukës, Hadrojt dhe Buxhelajt në radhët e Partizanit. Kryeqytetasit ksihin më shumë iniciativën në këto minuta, pa arritur të gjejnë hapësira për të gjuajtur në portë. Goli do të vononte për skuadrën e Shehit, kur në minutën e 80′ një kundërsulm i shpejtë me Skukën i cili nga e majta gjuan dhe shënon në portën e Sherrit.
Egnatia arriti të mbronte me fanatizëm këtë rezultat. Me këtë fitore ekipi drejtuar nga Tetova mban vendin e parë në kuotën e 57 pikëve, ndërsa Partizani mban vendin e tretë me 48 pikë, duke ndjerë shqetësimin e Tiranës ku diferenca është 5 pikë larg.