Tirana ka fituar me shifrat 3-2 një derbi shumë të bukur ndaj Dinamos, duke i dhuruar trajnerit Erbim Fagu fitoren e parë në Superiore në pankinën bardheblu. Një sukses i dyfishtë pasi sjell edhe shkëputjen në renditje ndaj rivalëve kryeqytetas, në ndjekje të nëj vendi në katërshen e parë të kampionatit.
Ndeshja në fakt foli për dinamovitët të cilët dominuan në lojë dhe raste që në minutat e parë të duelit. Por Tirana shënoi dy herë shpejt me Nikqin dhe Latifin, duke ndëshkuar çdo gabim në prapavijën e bluve. Këta të fundit nuk u dorëzuan dhe provuan që të kalonin Kozin, vendimtar me pritjet e tij.
Ai u desh të dorëzohej ndaj dy gjuajtjeve të Qefaliajt në pjesën e dytë të sfidës, që barazuan rezultatin dhe bënë ndeshjen më të ethshme. Por një goditje në kufijtë e zonës e Jonuzit ktheu përsëri Tiranën në avantazh, për një rezultat 3-2 që e mbrojti deri në vërshëllimën përfundimtare.