SPAK nis hetimin/ Do të verifikohet udhëtimi i 41- vjeçares nga Shqipëria drejt Sirisë

I vetmi person maxhoren ndër pesë të riatdhesuarit nga kampi i luftës në Siri, Floresha Rasha, do të japë deklarime përpara Prokurorisë kundër Krimit dhe Korrupsionit. Përmes marrjes në pyetje, SPAK-u do të verifikojë udhëtimin e 41- vjeçares nga Shqipëria drejt Sirisë, me qëllim për të mësuar rekrutuesit, financuesit dhe njerëzit që i kanë ndihmuar për të shkuar në destinacionin final përmes Turqisë.

Ky proces do të ndodhë sapo gjendja shëndetësore dhe mendore e Floresha Rashës të jetë më e stabilizuar. SPAK-u ka hapur dosjen e disa viteve më parë me akuza për rekrutimin e shqiptarëve për të luftuar në Siri. Midis tyre është edhe imami i xhamisë në Unazën e re, Genci Balla, aktualisht i burgosur ende, me të cilin pritet të ketë një ballafaqim. E njëjta procedurë mësohet se do të ndiqet për të gjithë personat madhorë që do të riatdhesohen pas operacionit të dytë të forcave antiterror në kampin famëkeq sirian. Floresha Rasha ishte vetëm 34 vjeçe kur bashkë me dy fëmijët e saj mori rrugën për t’u bashkuar me bashkëshortin e saj që luftonte prej gjashtë muajsh krah një grupi terrorist në Siri.

REAGIMI I SHBA

Riatdhesimi i pesë personave të parë nga kampi i luftës në Siri ka tërhequr vëmendjen e përfaqësisë diplomatike amerikane në vendin tonë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasadorja Yuri Kim ka shpërndarë foton e një fëmije të sapoçliruar, përmes të cilës apelon qeverinë që ata të cilët janë subjekt i ligjit për krime, të përballen me drejtësinë. “E mrekullueshme të shohësh këta fëmijë të pafajshëm të çliruar nga ISIS. Shpresoj se do të pasohet nga hapa të tjerë. Qeveritë duhet të riatdhesojnë shtetasit e tyre nga Siria në mënyrë që ata të rehabilitohen dhe, kur është rasti, të përballen me drejtësinë”. Të njëjtën gjë la të kuptohej edhe Kryeministri Edi Rama në daljen për mediat në ditën e riatdhesimit, duke deklaruar se ata që kanë kryer krime do të mbajnë përgjegjësi penale.

Related posts

Monedhat e huaja pësojnë rënie/ Këmbimi valutor për ditën e sotme, 4 korrik 2024

“5 milionë lekë, për ty 4! Emiljano: Shumë e ka!”/ Përgjimet në dosjen Onkologjikut! Ja pazari që bëhej për pacientët me kancer

“Profecia” e asteroidit të Nostradamusit bëhet e vërtetë?! Ja çfarë thotë parashikuesi