“Problemi te Partizani janë njerëzit rreth presidentit”, Haxhia zbulon prapaskenat te demat: S’na lanë të ndërtonim ekipin’

Sokol Haxhia

Sokol Haxhia ka folur për periudhën e kaluar te Partizani, si u rikthye te “demat” dhe largimin i tij si drejtor teknik. Aventura niste rreth një vit më parë, ndërsa zgjati deri në korrik kur erdhi eliminimi nga Kalju në Ligën e Konferencës. Në “TopCast” tregoi çfarë nuk shkonte sipas tij te Partizani.

Si erdhi oferta për t’u bërë drejtor i Partizanit?

Kisha gati 2 vjet që vija në mënyrë stabil këtu në Tiranë. Dhe më kontaktoi presidenti Demi. Kur ramë dakord që fillova punën dhe fëmijët e mi e morësh vësh, është diçka e bukur. Që ikën nga Shqipëria dhe je pjesë e Partizanit, më pas kthehesh dhe e fillon prapë aty ku e ke lënë. Edhe emocionale se unë jam rritur te Partizani. Më kontaktoi presidenti, folëm për 2 javë, shikonim ndeshjet bashkë dhe diskutonim. Dëshironte të shikonte edhe personin tim, çfarë mund të jepja. Dhe pse Shqipëria është e vogël, me 4-5 persona e merr gjithë informacionin për kë ke përballë. Dhe pastaj fillova punën.

E ke marrë Partizanin në një nga momentet më të vështira…

Po, kam filluar te Partizani në mars vjet. Kishte 1 muaj që ishte larguar trajnerin që kishin dhe ishte vendosur drejtori sportiv Abilaliaj si trajner i ekipit. Ishte një moment që skuadra po rrezikonte pjesëmarrjen në katërshe dhe kishte arritur gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Kur fillova unë, pas pak ditësh bëmë zgjedhjen që morëm trajnerin Gega. Dhe aty zhvilluam fundin e kampionatit, gjysmëfinalet e Kupës, derisa shkuam në Final Four dhe zumë vendin e tretë.

Rikthimi i Skënder Gegës?

Presidenti pyeti disa, se kur kam qenë unë te Partizani ishte Olsi Rama si drejtor i përgjithshëm, drejtori sportiv dhe unë që isha drejtor teknik. Plus kishte shumë këshilltarë që e rrethonin presidentin. Në diskutim e sipër u arrit në mënyrë të përbashkët, që trajneri që mund të bënte për Partizanin në atë moment ishte një që njihte ambientin. Dhe pse jo një trajner me eksperiencë, CV-në dhe karizmën e Skënder Gegës.

Çfarë nuk shkon te Partizani?

Te Partizani për mendimin tim, presidenti Demi është një nga presidentët që shpenzon dhe krijon kushtet. Unë jam rritur nga ana profesionale e futbollit në Itali. Kushtet që ka te Partizani, i gjen dhe në kategoritë profesioniste në Itali. Si një klub i Serisë B. Shpenzimet e atij presidenti kundrejt klubit janë shumë të mëdha. Është një person, që t’i krijon të gjitha kushtet e mira për të punuar, por vështirësia ime ishte që shumë persona përreth presidentit… Detyra ime si drejtor ishte… unë shkoja në 9 e gjysmë në klub dhe dilja nga klubi, pasi djemtë kishin ngrënë darkën. Me presidentin flisnim në fillim, deri në momentin kur kuptoi çfarë pune mund të bëja unë. Unë kisha idetë e mia se një klub duhet të mbahet nga shitjet e lojtarëve, dhe duhet të kesh kujdes edhe nga blerjet që bën. Një nga punët që bëmë te Partizani, kemi larguar në muajin maj mbi 12 lojtarë që nga ana monetare i kushtonin shumë klubit.

Në atë periudhë u munduam se nuk po na jepnin “ok” për të marrë lojtarët që si numër na duheshin. Dhe morëm shumë lojtarë nga akademia dhe i promovuam. Çelsi i suksesit të një klubi, sidomos si Partizani, mjafton të shikosh në vendet fqinje në Ballkan. Çfarë ka bërë Steaua e Bukureshtit, Dinamo e Zagrebit dhe Partizanit i Beogradit që janë skuadra që luftojnë për titull. Kanë gjithmonë 4-5 lojtarë të rinj të talentuar, që në disa momente të caktuara të kampionatit, t’i hedhësh në fushë. Duke i hedhur në fushë, i ke hedhur në treg. Një nga idetë e mia është kjo, që në Shqipëri pak presidentë kanë shijuar atë guston e fitimit nga futbolli. Për mua, presidentët e klubeve në Shqipëri, në këtë situatë që ndodhet futbolli sa i përket të ardhurave, janë heronj. Marrin lekët nga biznesi i tyre dhe familja, edhe i hedhin në ekip. Kjo gjë, pas njëfarë kohe dhe të lodh. Je gjithmonë duke dhënë. Ne vërtetë shesim lojtarë, por Shqipëria mund të ketë shumë më tepër mundësi për të shitur lojtarë. Duhet ndryshuar mentalitet sepse në gjithë botën po të shohësh skuadrat e nivelit të mesëm ose që luftojnë të mos bien nga kategoria, mosha më e madhe e lojtarëve është 24 vjeç. Ata do të mbijetojnë duke shitur lojtarë, këtë gjë në Shqipëri e kam parë që në njëfarë pike e bën Bylisi. Katër apo pesë skuadra të tjera luftojnë për të dalë kampionë, dy apo tre për të mos rënë nga kategoria.

Related posts

Alarm te Besa! Mungesat tronditin favoritët para betejës me Lushnjën

Akuza për pështyrje dhe ofendim, Dinamo mbron Dejvi Bregun (POSTIMI)

Vllaznia në pritje të gjobës nga FSHF, Edi Martini vendos “vijën e kuqe”: Sa të jetë ajo aty, s’flas!