Simone Inzaghi i është gëzuar fitores 4-0 të skuadrës së Interit ndaj Leçes, pasi i mundësoi të arrinte disa objektiva të rëndësishëm si fitorja numër 200 në karrierën e tij si trajner në Serinë A dhe 300 pikë të siguruara në pankinën e Interit në kampionat.
Ai ka përgëzuar skuadrën për këtë sukses të cilin theksoi se e kishte përgatitur në 2 ditë pas transfertës në Pragë në Ligën e Kampioneve, teksa u ndal te puna e lojtarëve si Fratessi e Asllani të cilët sipas tij ishin shumë të rëndësishëm për skuadrën. Ai aktivizoi përsëri Fratessin titullar sot, ndërsa Asllani e nisi ndeshjen nga stoli.
“Frattesi e di, kemi folur, ishte sekreti i vitit të kaluar, mendoj të njëjtën gjë për të si për Carlos Auguston apo Asllanin. Janë lojtarë të cilët kanë luajtur më pak por kanë qenë vendimtarë. Pa ata ndoshta nuk do të kishim mbërritur te ylli i dytë. Kanë bërë diferencën pasi nuk kanë bërë të ndjehet mungesa e atyre që nuk janë”, tha fillimisht Inzaghi i cili më pas komentoi rotacionin në mesfushë.
“Të gjithë janë shumë të gatshëm. Këtë vit na është dashur shumë herë të bëjmë pa Calhanoglun të cilin ju të gjithë e dini se çfarë përfaqëson. Në ndeshjet e fundit Asllani kishte bërë shumë mirë, sot isha në dyshim nëse duhej ta vendosja përsëri titullar, por pastaj zgjodha Zielinskin. Janë të gjithë mbajtës shumë të mirë të topit, por pastaj duhet të bëjnë të gjithë edhe fazën mbrojtëse”, deklaroi Inzaghi pas fitores së sotme.