Giovanni Kessler, ish-shefi i OLAF (Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit), u dënua javën e shkuar nga një gjykatë belge me një vit burg me kusht, pasi u gjet fajtor për praktika të paligjshme hetimi.
Ish-zyrtari është nga partia e Federica Mogherinit dhe është i afërt me të. Ai deklaroi se nuk kishte shkelje ligjore në blerjen e vilës për rezidencë të ish-ambasadores së Bashkimit Europian në Tiranë. Bëhet fjalë për një vilë në Lundër pranë Tiranës dhe u ble nga BE me trefishin e çmimit të tregut.
Kujtojmë që atëherë shefja e Delegacionit europian në Tiranë Romana Vlahutin u akuzua se kishte shkelur procedurat dhe kishte abuzuar me detyrën. Eurodeputetë si Ingeborg Graessle, kryetare e komisionit buxhetor, e quajtën “Skandal shokues me pasoja për besueshmërinë e BE” dhe kërkuan informacione me shkrim. Më vonë kjo dosje u arkivua nga Kessler.
Vlahutin i shpëtoi hetimit penal, por u shkarkua nga Komisioni Europian në fillim të vitit 2023 për shkelje të ndryshme.
Gjykata belge dënoi Kessler për akuzat se përgjoi një komisioner Europian si pjesë të një hetimi.
Ai u dënua me një vit burg me kusht për trajtimin që i bëri një hetimi që përfshin John Dalli, i cili ishte komisioneri i shëndetësisë i BE-së. Dalli dha dorëheqjen në tetor 2012 mes akuzave se ndihmësi i tij i lartë kërkonte ryshfet nga industria e duhanit.