Stresi përshkruhet si një gjendje e rënduar mendore ose emocionale që shkaktohet nga rrethana të caktuara armiqësore.
Stresi është një gjendje të cilës nuk i shpëton askush në një pikë të caktuar të jetës.
Studimet konfirmojnë se të paktën 33 përqind e të rriturve përjetojnë nivele të larta të stresit rregullisht.
Stresi manifestohet me disa simptoma fizike dhe mendore të cilat i gjeni të zbërthyera më poshtë në këtë artikull.
Shfaqja e Akneve
Stresi manifestohet rregullisht nëpërmjet akneve dhe puçrave.
Kjo ndodh sepse kur njerëzit janë të stresuar, kanë tendencën të prekin fytyrën më shpesh se zakonisht.
Kjo përshpejton përhapjen e baktereve dhe shfaqjen e puçrave.
Dhimbjet e Kokës
Stresi është një faktor kontribues në intensitetin e dhimbjeve të kokës dhe të zonës së qafës.
Studimet konfirmojnë se një ngjarje stresuese pasohet nga një dhimbje e fortë e kokës.
Sa më shumë ngjarje të tilla të ketë në harkun kohor të një muaji aq më shumë dhimbje koke do të përjetojë një i rritur.
Në fakt sipas studimeve, stresi është shkaktari i dytë madhor i dhimbjeve të kokës.
Dhimbjet Kronike
Nivelet në rritje të kortizolit, hormoni kryesor i stresit shkaktojnë dhimbje të shumëfishta e kronike.
Sëmundje Në Rritje
Nëse ju duket sikur nuk po rimëkëmbeni dot nga sëmundjet e ndryshme që ju kaplojnë herë pas here, atëherë tregoni kujdes me stresin.
Ndikimi i tij në sistemin imunitar është i ashpër dhe e bën njeriun një shënjestër të lehtë të shumë sëmundjeve.
Në rastin e gripit, stresi arrin të zbehë rolin mbrojtës të vaksinës dhe nënshtron sistemin imunitar.
Sëmundjet më të përhapura tek njerëzit që stresohen më shpesh, janë infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes.
Mungesë Energjie Dhe Pagjumësi
Lodhja kronike dhe rënia e nivelit të energjisë janë simptoma të përhapura të stresit.
Stresi prish edhe cilësinë e gjumit dhe shkakton pagjumësi.
Probleme Me Tretjen
Nivelet e larta të stresit shkaktojnë probleme me tretjen, diare dhe konstipacion.
Fëmijët, gratë dhe burrat që preken nga stresi, përjetojnë më shumë raste konstipacioni, dhimbje stomaku, fryrje ose diare.
Oreksi
Stresi ka një ndikim të fortë tek oreksi.
Njerëzit e stresuar mund të përjetojnë humbje të tij ose një dëshirë të pajustifikuar për ushqim.
Në përiudha stresuese, njerëzit mund të humbasin ose të shtojnë në peshë në mënyrë të menjëhershme.
Depresion
Stresi kronik ka një rol kontribues në shfaqjen e depresionit.
Ky fundit prek më shumë adoleshentët dhe gratë.
Sa më stresuese të jetë jeta juaj, aq më të shpeshta do të jenë episodet e depresionit.
Rrahje Të Shpeshta Zemre
Stresi e bën zemrën të rrahë më shpejt dhe më fort.
Raste të tilla vërehen tek adoleshentët dhe studentët të cilët situatat stresuese i kalojnë në shkollë ose me moshatarët e tyre.
Djersitja
Ekspozimi ndaj stresit shkakton djersitje të tepërt, sidomos në zonën e duarve.
Kjo vihet re kryesisht tek adoleshentët por edhe tek gratë.
Konkluzioni
Stresi ka një ndikim të jashtëzakonshëm në shëndetin e njeriut.
Ai mund të mbahet nën kontroll nëpërmjet aktivitetit fizik dhe ushqyerjes së shëndetshme.
Ne ju këshillojmë të konsultoheni me mjekun nëse vini re një stres në rritje që ndikon në shëndetin tuaj.
* Ky informacion ka për qëllim të plotësojë, të mos zëvendësojë këshilla nga mjeku juaj ose ofruesi i kujdesit shëndetësor dhe nuk ka për qëllim të mbulojë të gjitha përdorimet e mundshme, masat paraprake, ndërveprimet ose efektet negative. Ky informacion mund të mos i përshtatet rrethanave tuaja specifike shëndetësore.
Burimi: U.S. National Library of Medicine