Ëndrra e qenieve njerëzore, dhe e mjekësisë në përgjithësi, është ta ngadalësojnë plakjen
(dhe të gjitha simptomat e lidhura me to), apo madje ta anulojnë krejtësisht atë (në një këndvështrim më trans-humanist). Një nga metodat që përdorin shkencëtarët për të kuptuar se si mund të ngadalësohet plakja e njeriut, është studimi i kafshëve që shfaqin ritme të çuditshme plakjeje, shumë më të ngadalësuara në krahasim me tonat.
Breshkat kanë një model plakjeje “kundër-intuitive”
Ky është rasti me shumë lloje breshkash. Sipas një studimi të ri nga Universiteti i Danimarkës Jugore, disa lloje breshkash duket se ndjekin një model “kundër-intuitiv” të dobësimit dhe degradimit të organizmit, me karakteristikat kryesore të pleqërisë që më pas çojnë tek vdekja.
Këto kafshë duket se kanë gjetur një metodë për ta ngadalësuar procesin e plakjes, në disa raste edhe në një shkallë ekstreme. Rita da Silva, biologe në universitetin danez, autore e një studimi të ri të botuar së fundmi në revistën “Science”, thotë se këto karakteristika të veçanta, tregojnë se plakja nuk është një tipar i pashmangshëm për të gjitha format e jetës.
Kur përmirësohen kushtet e jetesës, ngadalësohet plakja
Studiuesja, së bashku me kolegët e saj, analizuan modelin e plakjes së 52 llojeve të breshkave të mbajtura në kopshte zoologjike ose akuariume. Ajo zbuloi se shumica e ekzemplarëve duket se plaken më ngadalë se njerëzit apo kafshët e tjera. Në shumë raste (rreth 75 për qind) efekti i plakjes duket “i papërfillshëm”, dhe shpejtësia e tij është “shumë e ngadaltë”.
Studiuesit shpjegojnë se kanë zbuluar, se specie të ndryshme mund ta zvogëlojnë shkallën e plakjes kur përmirësohen kushtet e jetesës së tyre në krahasim me natyrën e egër (ky është rasti i disa kopshteve zoologjike dhe akuariumeve, ku këto kafshë nuk kanë nevojë të shqetësohen më për të gjetur ushqim).
Dukuria e plakjes dhe teoria e “kompromisit”
Sipas teorive tradicionale, plakja është një fenomen që nis të shfaqet menjëherë pas pjekurisë seksuale, dhe është një lloj kompromisi midis energjisë që përdor një qenie e gjallë për të riparuar dëmtimet qelizore, dhe asaj që i duhet të investojë për t’u riprodhuar.
Teoria e “kompromisit”, nënkupton që kur gjallesat ndalojnë së rrituri, ato automatikisht fillojnë të përjetojnë plakjen. Në fakt, kjo e fundit, mund të përkufizohet si një përkeqësim gradual i funksioneve të trupit me kalimin e moshës.
Ka disa organizma që vazhdojnë të rriten edhe pas pjekurisë seksuale
Por sipas studiuesve, ka organizma që vazhdojnë të rriten edhe pas pjekurisë seksuale. Dhe i tillë është edhe rasti i breshkave. Prandaj, këto kafshë janë në gjendje të vazhdojnë të përdorin një pjesë të energjisë së tyre për të riparuar dëmtimin e qelizave.
Gjithsesi, pavdekësia nuk ekziston
Në çdo rast, studimi i ri nuk flet absolutisht për pavdekësinë. Bëhet fjalë për një nivel më të ngadalshëm, por jo për ndalimin e plotë të plakjes. Megjithëse rritet më pak me moshën, sesa në format e tjera të jetës, rreziku i vdekjes mbetet ende më i madh sesa zero. Në fund të gjitha qeniet vdesin.
Burimi: CNA