Sekretari Blinken uron Kosovën për 16-vjetorin e pavarësisë!

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka uruar qytetarët e Kosovës në 16-vjetorin e pavarësisë.

Në mesazhin e urimit të sekretarit amerikan thuhet se SHBA-të vlerësojnë partneritetin e qëndrueshëm, të rrënjosur në mirëkuptimin reciprok, vlerat e përbashkëta dhe miqësinë mes njerëzve tanë.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përgëzoj popullin e Kosovës për përvjetorin e gjashtëmbëdhjetë si shtet sovran dhe i pavarur.

Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin tonë të qëndrueshëm, të rrënjosur në mirëkuptimin reciprok, vlerat e përbashkëta dhe miqësinë mes njerëzve tanë. Ndërsa vazhdoni të bëni përparim në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e sundimit të ligjit, ne do të vazhdojmë të mbështesim një Kosovë multietnike që avancon një rajon më të sigurt dhe më të begatë”, thuhet në urim.

ShBA-të inkurajojnë Kosovën që të zbatojë zotimet e saj dhe të ecë përpara përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, në rrugën drejt njohjes së ndërsjellë (përfundimtare).

“Shtetet e Bashkuara besojnë se e ardhmja e Kosovës është në Evropë dhe në institucionet euroatlantike. Ne mbështesim aspiratat e përcaktuara në Deklaratën tuaj të Pavarësisë dhe Kushtetutës për të kontribuuar në stabilitetin e rajonit dhe të gjithë Evropës duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi”, thuhet më tej.

Blinken po ashtu thekson “mirëpresim mbështetjen e palëkundur të Kosovës për Ukrainën kundër luftës brutale dhe të padrejtë të Rusisë dhe jemi mirënjohës për ndihmën bujare të Kosovës për gazetarët dhe të tjerët që kërkuan strehim në vendin tuaj”.

“Mezi pres të thellojmë partneritetin tonë në forcimin e demokracisë dhe krijimin e kushteve që Kosova dhe të gjithë qytetarët e saj të lulëzojnë në një botë më të sigurt, më stabile dhe më të begatë.

Urime sërish mikut, partnerit dhe aleatit tonë përvjetorin e Ditës së Pavarësisë…”, thuhet më tej.

Related posts

Nuk gjen qetësi Greqia! Goditet sërish nga një tjetër tërmet i fortë, ja ku ishte epiqendra

Mbi 20 persona përfundojnë në spital/ Ja çfarë ndodhi papritur në Bulqizë

E RËNDË! Po lahej në liqenin e Kukësit, humb jetën i moshuari