Rritja e temperaturave i josh njerëzit të dalin në natyrë. Por sa gjasë ka që të infektohesh jashtë nga koronavirusi?
Mundësia e infektimit në natyrë nga virusi është dukshëm shumë më e ulët se sa në mjediset e mbyllura – qoftë nga varianti fillestar apo nga mutacionet e virusit.
Aerosolet në ajër luajnë një rol vendimtar në përhapjen e koronavirusit.
Sipas ekspertëve jashtë aerosolet shumë shpejt e humbasin rrezikshmërinë. “Kjo ka të bëjë me faktin, se qarkullimi i ajrit jashtë është më i madh. Duke pasur rryma ere shumë shpejt ndodh efekti i hollimit”, shpjegon për DW, Nico Mutters, drejtor i Institutit të Higjenës dhe Shëndetit Publik në Klinikën e Universitetit të Bonit.
Edhe Birgit Wehner, studiuese e aerosoleve në Institutin Leibniz për Studimet e Troposferës, thotë, se piklat, që dalin nga procesi i frymëmarrjes, jashtë thahen dhe hollohen më shpejt.
Në një deklarim të Shoqatës për Studimet e Aerosoleve, që është nënshkruar edhe nga Wehner, thuhet megjithatë, se në grupime të mëdha njerëzish me distanca të vogla as në natyrë nuk mund të përjashtohet rreziku i ngjitjes së virusit.
Pra edhe jashtë duhet të respektohen rregullat e distancës 1.50 deri në 2 metra. “Nëse nuk e ruani distancën dhe qendroni ballë për ballë me njeri tjetrin e flisni me zë të lartë, këndoni apo pështyni, atëherë mund të infektoheni përmes aerogeneve infektuese,” thotë në intervistë për DW virologu Alexander Kekulé.
Ai njihet në media për kriitkat e tij ndaj masave të qeverisë. Sipas tij me virusin duhet të komportohemi pa u kufizuar në mënyrën e jetesës.
Rregullorja e ruajtjes së distancës duhet të respektohet edhe për mutacionet e virusit.
Kekulé thekson: “Mutantët nuk fluturojnë më tej, kjo është e rëndësishme të thuhet.”
Ato janë pak më shumë ngjitëse, por kjo nuk bën dallim për masat kufizuese. Duhet që të evitohen edhe të puthurat e përqafimet.
Gjatë lëvizjeve normale – si një kalim shkurt krah tjetrit jashtë – pothuajse nuk ka asnjë rrezik. Studimet konfirmojnë, se rreziku për t’u infektuar jashtë është minimal.
Një studim nga Kina p.sh. provon, se nga 7324 infeksione të regjistruara vetëm një ka ndodhur jashtë. Edhe Instituti Robert Koch në Gjermani në faqen e internetit shkruan, se infeksionet jashtë në hapësira janë shumë të rralla.
Burimi: DW