Rusia e vendos Alexei Navalnyn në listën e më të kërkuarve për t’u arrestuar

Rusia ka vendosur liderin e opozitës Alexei Navalny në listën e personave më të kërkuarve për arrestim në vend.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati i Navalnyt, Vadim Kobzev duke shtuar se, ky vendim nuk i shtyn planet e tij për t’u kthyer në Rusi në këtë fundjavë.

Kritiku i hapur i Kremlinit, i cili është aktualisht në Gjermani, ka njoftuar se më 17 janar do të kthehet në vendlindje.

“Çështja nëse ‘do të kthehem apo jo’ nuk qëndron te unë. Thjesht sepse nuk u largova. Unë përfundova në Gjermani, pasi kisha mbërritur nën kujdesin intensiv. Më 17 janar, e diel, do të kthehem në shtëpi. Ejani të më përshëndetni”, kishte njoftuar ai në Twitter.

Njoftimi i Navalnyt vjen një ditë pasi Shërbimi Federal i Burgjeve i Rusisë (FSIN), ka kërkuar që ai të zëvendësojë dënimin me kusht në çështjen Yves Rocher me burgim efektiv.

Përpjekjet e mëparshme të FSIN-it për të rrëzuar dënimin me kusht të Navalnyit dhe burgimin e tij, ishte refuzuar nga një gjykatë në Moskë në vitin 2017.

Navalny u sëmur gjatë një fluturimi nga Tomsk për në Moskë, në gusht të vitit 2020 dhe u vendos në një gjendje kome në një spital në Siberi, para se të transferohej në Gjermani.

Testet laboratorike të kryera në Gjermani, Francë dhe Suedi kanë vërtetuar se Navalny ishte helmuar me një agjent nervor të klasës Novichok, një rezultat i konfirmuar edhe nga Organizata Ndërkombëtare për Ndalimin e Armëve Kimike.

Pas helmimit të tij, Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj gjashtë zyrtarëve rusë dhe një instituti kërkimor shtetëror.

Autoritetet ruse kanë pretenduar se asnjë gjurmë helmi nuk është gjetur në trupin e Navalny, para se ai të transferohej në Gjermani, dhe kanë refuzuar të hapin një hetim penal për incidentin.

Ai ka akuzuar presidentin Vladimir Putin, për urdhërimin e helmimit, një pretendim i hedhur poshtë nga Kremlini.

Burimi: Telegrafi

Related posts

Nuk gjen qetësi Greqia! Goditet sërish nga një tjetër tërmet i fortë, ja ku ishte epiqendra

I treti brenda dy ditëve! Ishulli grek goditet përsëri nga tërmeti, banorët në panik!

“Profecia” e asteroidit të Nostradamusit bëhet e vërtetë?! Ja çfarë thotë parashikuesi