Rrëmbimi i guvernatores së Miçiganit ngre shqetësime për dhunë gjatë zgjedhjeve

Autoritetet kanë kapur 13 persona që akuzohen se po planifikonin rrëmbimin dhe ndoshta vrasjen e guvernatores së Miçiganit. Plani ku përfshihej një grup paramilitar i armatosur me armë dhe eksplozivë, ishte planifikuar të zbatohej për të prishur zgjedhjet amerikane dhe për të ngjallur rebelim.

Sipas korrespondentit të Zërit të Amerikës, Matt Dibble, mesazhi provokativ nga liderët dhe mediat sociale me rregulla të dobëta mund të jenë duke e orientuar klimën politike amerikane drejt dhunës.

Pranverën e kaluar, në Shtetet e Bashkuara shpërthyen protesta kundër masave të sigurisë për pandeminë. Në tubimet përpara godinës qeveritare të shtetit Miçigan në prill dhe maj, disa protestues shprehën dëshpërim për humbjen e të ardhurave, ndërsa të tjerët u nxitën nga ajo që ata e konsideruan si një abuzim i pushtetit nga Guvernatorja demokrate Gretchen Whitmer.

Ndërkohë, javën e kaluar, 13 persona u akuzuan për komplot për rrëmbimin e guvernatores në përpjekje për të nxitur një kryengritje të dhunshme përpara zgjedhjeve të nëntorit.

Disa nga të arrestuarit kishin qenë pjesëmarrës të rregullt në tubimet kundër masave të izolimit, aktivitete këto të organizuara dhe të mbështetura nga operativë politikë me lidhje të forta në spektrin e djathtë, thotë Lisa Graves, e cila drejton një grup studimor të politikave publike.

“Këto grupe të krahut të djathtë po nxisnin përpjekjet për të shfuqizuar urdhrat (për izolimin) dhe duke e quajtur atë tirani. Dhe nuk ishin vetëm ata, por edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara”, thotë zonja Graves.

“Këto janë rrethanat kur retorika mund të inkurajojë njerëzit që mund të kenë prirje për dhunë”, thotë zonja Graves.

Pas arrestimeve, Guvernatorja Whitmer akuzoi Presidentin Donald Trump se “ushqen mosbesimin dhe nxit zemërimin”. Presidenti Trump u përgjigj duke shkruajtur në Twitter se ai nuk e toleron “dhunën ekstreme” dhe se “Guvernatorja Whitmer ka bërë një punë të tmerrshme”.

Shtatë nga personat e akuzuar ishin anëtarë të një milicie anti-qeveritare që rekruton dhe komunikon duke përdorur Facebook-un. Dhe megjithëse kompania Facebook lajmëroi FBI-në për deklaratat e zjarrta të grupit, ekspertë si Joan Donovan thonë se kompanitë e mediave sociale nuk kundërveprojnë gjithnjë ndaj kërcënimeve.

Gjatë këtij viti u panë gjithashtu protesta mbi vrasjet nga policia të qytetarëve afrikano-amerikanë që shpërthejnë në të gjithë vendin, me disa valë dëmtimi të pronës, plaçkitje dhe përplasje me kundër-protestuesit.

Drejtori i FBI-së Christopher Wray kohët e fundit trajtoi kërcënimin e përshkallëzuar të ekstremizmit në dëshminë e tij përpara Kongresit.

Votimi i hershëm tashmë është duke u zhvilluar në pjesën më të madhe të Amerikës dhe FBI-ja po përpiqet të garantojë amerikanët për sigurinë e zgjedhjeve dhe u ka bërë thirrje njerëzve të raportojnë krime të dyshuara zgjedhore ose frikësimin e votuesve.

Related posts

Monedhat e huaja pësojnë rënie/ Këmbimi valutor për ditën e sotme, 4 korrik 2024

“5 milionë lekë, për ty 4! Emiljano: Shumë e ka!”/ Përgjimet në dosjen Onkologjikut! Ja pazari që bëhej për pacientët me kancer

Monedhat e huaja në “krizë”/ Kursi i këmbimit për sot, 23 qershor 2024