Artan Simaku, mjek infeksionist në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP), u shpreh në një lidhje direkte me studion e “Ditari” në A2 se rastet e infektimeve nuk duhet të shkaktojnë panik në popullatë, pasi janë shumë të rralla.
“Riinfektimi është shumë i rrallë, nuk ka vend për panik në popullatë. Është një numër shumë i vogël rastesh, jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë. Mund të ndodhë që në tamponin e parë, personi të ketë qenë fals pozitiv, por mund të jetë edhe riaktivizim i mbetjeve gjenetike të virusit, që laboratori i kap si pozitiv. Ndodh që të jetë infektim nga variantet e reja, por janë raste shumë të rralla”, theksoi mjeku.
Në lidhje me rritjen e shifrave të resteve të reja me Covid-19 dhe viktimave, Simaku deklaroi: “Trendi në rritje ka nisur që në fillim të janarit, ishte trend i pritshëm. Përveç grumbullimeve gjatë festave të fundvitit, ka dhe një mosrespektim të masave nga popullata dhe bizneset”.
Simaku shtoi se variantet e reja të koronavirusit mund të jenë në qarkullim në Shqipëri, për faktin se po rritet numri i të rinjve të infektuar: “Na bën të dyshojmë fakti që ka rritje numri i infektimeve të moshave të reja. Ka pësuar rritje edhe numri i pacientëve të shtruar në spital. Detyra jonë është vetëm që të respektojmë masat, që të mos arrijmë në skenarin që të plotësohen të katër spitalet Covid”.