Rey Manaj ka kaluar një situatë aspak të këndshme gjatë kësaj të diele, teksa një përplasje në minutat e para të ndeshjes mes Sivaspor dhe Goztepe, e la pa ndjenja në fushë, pasi kishte marrë një goditje në kokë. Lojtari u transportua me ambulancë në spital por për fat të mirë, situata e tij është normalizuar.
Mjekët i kanë kërkuar që të qëndrojë gjatë kësaj nate në spital, në mënyrë që ta kenë në kontroll të vazhdueshëm lojtarin për të shmangur surpriza të pakëndshme. Por që tani Manaj po mendon për kthimin në fushë, siç e tregoi edhe në bashkëbisedimin e tij me trajnerin Riza Çalimbaj.
Në videon e mëposhtme dëgjohet Manaj teksa shpjegon situatën e tij dhe prognozën që i kanë bërë mjekët.
“Pushim 2, 2-3 ditë dhe pastaj stërvitje normale. Shihemi pas 2-3 ditësh”, i premton Manaj trajnerit të tij, duke i bërë të qartë se dëshiron të kthehet sa më parë në fushë.
Siç raportohen nga mediat turke, fjalët e para të sulmuesit shqiptar, Rey Manaj pas zgjimit kanë qenë “A do mund të luaj në javën e ardhshme?”. Fjalë që kanë habitur stafin e spitalit me dëshirën e madhe të Manajt për të qenë në fushën e lojës.
Rikujtojmë se kombëtarja shqiptare do të zbresë në fushën e lojës më datë 21 mars ndaj Anglisë, dhe me datë 24 mars kundër Andorrës.
LEXO ME SHUME:Sezoni i fundit me Sivasspor, Rey Manaj drejt transferimit te një tjetër klub turk
Një lajm i bujshëm është duke qarkulluar së fundmi në mediat turke, teksa bëhet me dije se Rey Manaj mund të jetë zëvendësuesi ideal i Ciro Immobile-s te klubi turk Besiktas