“Revoltë” edhe te burgu i grave/Të dënuarat sulmojnë gardianen, e bëjnë për spital. Dy tentativa vetëvrasjeje në mensën e Burgut 325, të përshtatur si spital

Pas revoltave të të dënuarve në disa prej burgjeve të vendit, një tjetër lloj “revolte” ka ndodhur gjatë natës duke gdhirë dita e djeshmja në burgun e grave tek “Ali Demi”, i njohur si Burgu 325.

Disa gra të dënuara, të cilat vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, kanë sulmuar një gardiane, e cila ka qenë në shërbim vetë e dytë, në një ambient që, në fakt, momentalisht nuk ka asnjë kusht sigurie. Burime konfidenciale nga Drejtoria e Burgjeve konfirmuan incidentin, madje shpjeguan se gardiania e dëmtuar është dërguar në urgjencë për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Ngjarja mund të kishte qenë edhe më e rëndë, në rast se nuk do ndërhynin të dënuarat e tjera, pasi askush tjetër nuk ndodhej aty për t’i ardhur në ndihmë së dëmtuarës dhe koleges së saj. Prej disa javësh, në Burgun 325 janë transferuar 25 të dënuara që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor.

Ato kanë qenë të shtruara në ambientet e Spitalit të Burgut, ku merrnin kujdes të veçantë shëndetësor dhe me kushte të rrepta sigurie. Por duke qenë se prej disa kohësh Spitali i Burgut, që ndodhet brenda QSUT, është kthyer në spital Covid për të dënuarit që mund të infektohen me koronavirus, është kërkuar boshatisja e tij.

Megjithatë, duket se edhe kjo taktikë nuk është shfrytëzuar për ndonjë qëllim, pasi disa të dënuar që janë infektuar me Covid, në fakt, kanë marrë trajtim të Spitali Infektiv. Fillimisht, transferimi i grave të dënuara, të cilat njëkohësisht janë të sëmura dhe kanë nevojë për trajtim të veçantë, është kundërshtuar nga drejtoresha e Burgut 325. Megjithatë, fjala e saj duket se nuk është dëgjuar dhe që nga momenti i transferimit ka pasur disa incidente.

Transferimi

Një mensë brenda ambienteve të burgut të grave në zonën e “Ali Demit” është përshtatur si “spital” për 25 gra të dënuara, që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor dhe që janë transferuar aty nga Spitali i Burgut.

Burimet shpjegojnë se ky ambient nuk ka as kushtet minimale të sigurisë, gjë që ka bërë të ndodhin disa incidente që nga momenti kur ka ndodhur transferimi. Situata me të dënuarat e sëmura që tashmë ndodhen në mensën e burgut të grave sa vjen dhe përkeqësohet. Mbrëmjen e së mërkurë ka pasur një situatë të tensionuar.

Tri gra të dënuara kanë sulmuar një punonjëse Policie, duke i shkaktuar disa hematoma dhe për rrjedhojë ka qenë në urgjence. Ndërsa disa ditë më parë, një tjetër e dënuar, po ashtu me probleme të shëndetit mendor, ka tentuar të vrasë veten.

Duke qenë se ambienti ku ato janë vendosur nuk ka asnjë kusht sigurie, madje edhe dritaret janë me xhama, pa asnjë lloj mbrojtjeje tjetër, njëra prej tyre ka thyer xhamin dhe ka nisur të godasë veten në bark disa herë.

Ajo është shpëtuar në momentin e fundit nga punonjëset e Policisë. Ndërsa para saj, edhe një tjetër e dënuar ka tentuar vetëvrasjen, duke goditur veten në bark me pirunin plastik që përdorin për ushqim

150 të burgosur në grevë për kushtet, tri ditë revoltë edhe te paraburgimi 313 në Tiranë

Dita-ditës, revolta institucionet e vuajtjes së dënimit në vendin tonë po pushtohen nga “kryengritje” të të dënuarve. Fillimisht, situata e revoltimit në burg u shfaq në Peqin, aty ku edhe u izoluan dy të dënuar si pasojë e regjimit “41 biss”. Më pas do të vijonte në Shënkoll të Lezhës.

Ndërkohë, prej tri ditësh, mësohet se revoltat kanë nisur edhe në Burgun “313”, në Tiranë. Sipas burimeve të gazetës “Panorama”, mësohet se rreth 150 të dënuar, prej pasdites së të martës, nuk pranojnë asnjë punonjës të institucionit të futet brenda në qeli.

Madje, refuzojnë edhe ushqimin. Revolta, sipas burimeve, është bërë në katin e dytë të Burgut “313”, ndërsa mbrëmjen e së martës të dënuarit janë dëgjuar duke reaguar ashpër ndaj masave të marra në burg dhe kushteve, në të cilat ndodhen.

Ndryshe nga kërkesat që të dënuarit e Burgut Peqin, Shënkoll e Reç i kanë paraqitur Ministrisë së Drejtësisë, të burgosurit e “313-ës” kërkojnë ndryshimin e menysë së ushqimit. Sipas tyre, ushqimi që marrin në burg është i njëjtë dhe skandaloz.

Po ashtu, ata thonë se kushtet brenda në qelitë ku ata qëndrojnë në pjesën më të madhe të kohës janë skandaloze dhe se duhet të merren masa sa më shpejt. Takimi me familjarët është kërkesa e vetme që të dënuarit e kanë renditur të parin në listë. Deri më tani, Drejtoria e Burgjeve apo Ministria e Drejtësisë nuk ka dalë në ndonjë deklaratë për të sqaruar situatën ku po gjenden IEVP-të në vend.

Ndërkohë, kujtojmë që prej pesë ditësh 214 të burgosur në Burgun e Reçit në Malësinë e Madhe janë në grevë urie. Të burgosurit i janë drejtuar me një peticion ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, duke i kërkuar asaj një amnisti të përgjithshme me 2-3 vite për gjithë të dënuarit, ndërsa kërkojnë gjithashtu aprovimin e lejeve shpërblyese, hapjen e takimeve me familjet dhe hapjen e takimeve speciale, të cilat janë të bllokuara për shkak të COVID-19 si masa parandaluese për përhapjen e virusit.

Peticioni është firmosur nga 214 të burgosurit dhe i është drejtuar ministres së Drejtësisë. Ndërkohë, aktualisht të burgosurit janë në grevë urie.

KËRKESAT E TË DËNUARVE

  1. Të lejohen takimet me familjarët
  2. Të rregullohen kushtet higjienike
  3. Të mos na kërcënojnë dhe të sillen ashpër
  4. Ushqimi është i njëjtë dhe skandaloz
  5. Dhomat e tranzitit janë me çimka, insekte
  6. Kush flet nga ne, e kërcënojnë me izolim

Peqin, familjarët mbështesin grevën e të dënuarve

Protestës së të dënuarve në Burgun e Peqinit i janë bashkuar edhe familjarët e personave që vuajnë dënimin në këtë institucion. Familjarët e të dënuarve kanë qëndruar jashtë ambienteve të këtij institucioni, në një protestë paqësore, por e cila nuk do të ndalet.

Familjarët mbështesin plotësisht kërkesat e të dënuarve, ndërsa deklarojnë se të gjitha dënimet janë dhënë nga gjykatat e korruptuara, përfaqësuesit e së cilave po shkarkohen dita-ditës nga vetingu.

Me gjithë përpjekjet përfaqësuesve të zyrës juridike të burgut për të negociuar me familjarët, asnjë prej tyre nuk ka pranuar të hyjë brenda ambienteve të burgut. Ndërkohë, përfaqësuesi i zyrës juridike nuk ka pranuar që në ambientet e burgut ka grevë.

Related posts

Shoqërohen në polici përfaqësues të degës së PD-së në Elbasan (EMRAT)

Monedhat e huaja thellojnë rënien/ Kursi i këmbimit për ditën e sotme, 27 shtator 2024

Luhatje të papërfillshme në monedhat e huaja/ Kursi i këmbimit, 22 gusht 2024