Receta të freskëta me perime dhe fruta të stinës!

Ngjyra mbi tavolinë!

Domate në furrë


Përbërësit: 6 Domate, 300 gr mish derri, 150 gr mish viçi, 35 gr parmixhan i grirë, 1 qepë e grirë imët,
2 thelpinj hudhër, 1 degëz trumzë, 1 degëz rozmarine, 70 gr thërrime buke, 40 ml qumësht, majdanoz i freskët, vaj ulliri, kripë dhe piper.
Përgatitja: Pritni pjesën e sipërme të domates dhe me një lugë hiqni pjesën e brendshme, të cilën hidheni në një tas. Lyejini domatet me kripë dhe vendosini me kokë poshtë në një tavë të cilën e vendosim për t’u pjekur që të kullojë lëngu.
Përgatisim mbushjen: Qepën dhe hudhrën vendosini në tigan për t’u skuqur në vaj ulliri për pak minuta. Shtoni trumzën dhe rozmarinën. Në një tas të madh, bashkoni qepën dhe hudhrën e skuqur, shtoni mishin e viçit dhe derrit, gjysmën e të brendshmeve të domateve dhe parmixhanin e grirë. Punojeni me dorë dhe më pas shtoni bukën e thekruar së bashku me qumështin. Në fund shtoni majdanozin e grirë.
Për garniturën:
Domatet me anë të një luge mbushini me masën e krijuar dhe sipër shtoni pak oriz, vaj ulliri, kripë dhe piper. Vendosini domateve kapuçin e tyre dhe shtrojini në një tavë. Futini për t’u pjekur në furrë të ngrohur paraprakisht në temperaturë 160. Procedura e pjekjes zgjat 45 minuta.

Krepa me mbushje rikota dhe asparag


Përbërësit: 500 gr asparag, 300 gr rikota, 125 gr miell, 30 gr djathë Grana Padano, 3 vezë, 250 ml qumësht, krem pana, pak gjalpë për shije, kripë dhe piper.
Përgatitja: Në një enë përzieni miellin me qumështin dhe vezët. Shtoni pak gjalpë të shkrirë dhe pak kripë. Përziejini derisa të krijohet një masë brumi për krepa dhe lëreni të pushojë për të paktën 30 minuta.
Lyeni tiganin me gjalpë dhe hidhni në të brumin e krepave derisa të marrë ngjyrë të artë.
Pasi të mbaroni me pjekjen e krepave, hidhni në një tenxhere me ujë asparagun. Më pas prijeni asparagun e zier dhe krijoni një salcë me rikota dhe djathë të grirë Grana Padano, pak kripë dhe piper për shije.
Lyeni fillimisht krepat me kremin e rikotës me asparagus dhe rrotullojini ato. Lyeni një enë me yndyrë dhe vendosini rrotullat e krepave aty. Shtojini sipër ndonjë asparag të zier dhe mbulojeni më pas me pjesën e mbetur të djathit Grana Padano. Piqeni në furrë në temperaturë 180 gradë celsius për 15 minuta.

Makaronsa me aromë trëndafili

Përbërësit për makaronsat: 220 gr sheqer pluhur, 120 gr miell bajameje, 90 gr lëng qiqrash, 1 lugë miell misri, 1 lugë lëng limoni, 1 bustinë ngjyrues rozë.
Përgatitja e makaronsave: Përzieni miellin e bajames me lëngun e qiqrave. Rriheni ngadalë dhe më pas shtoni lëngun e limonit, sheqerin pluhur, ngjyrosësin dhe miellin e misrit. Teksa përgatisni brumin shtoni here pas here miell bajameje që të mos ngjitet dhe të mbetet i butë.
Vendosni përgatitjen në një qese pastiçerie. Në një fletë pjekje të mbuluar me letër pergamene, formoni disqe me diametër rreth 3 cm. Lërini të pushojnë për të paktën 4 orë. Vendoseni në furrë të ngrohur në temeraturë 120 ° C. Pas 20 minutash fikni sobën dhe lërini aty të pushojnë për 10 minuta.
Për kremin e trëndafilit: 10 ml krem ose qumësht orizi, 15 ml qumësht soje, 25 gr miell orizi, 10 g miell misri, 1 lugë pure bajame, 40 gr sheqer, 1 lugë ujë trëndafili dhe ngjyrues rozë.
Përgatitja e kremit: Në një tenxhere me zjarr të ulët hidhni miellin e orizit me atë të misrit, shtoni purenë e bajameve, sheqerin, ngjyruesin dhe ujin e trëndafilit. Përziejini me qumështin e orizit dhe të sojës derisa kremi të fillojë të trashet. Hiqeni nga zjarri dhe lëreni të ftohet. Vendosni në mes të dy disqeve të vegjël të makaronsave kremin e krijuar dhe vendosini në frigorofer për 1 orë.

Related posts

Pilaf me kinoa – Receta e veçantë me plot shije!

Pogaçe e ëmbël – Receta e shijshme që kënaq gjithë familjen!

Akullore me kos dhe fruta – Receta me freski dhe shije perfekte!