Receta e mrekullueshme e omëletës me patëllxhanë dhe domate

Omëletat gjithmonë janë një zgjidhje e shpejtë dhe e shijshme për një darkë të lehtë.

Mjafton që të shtoni perimet tuaja të preferuara dhe omëleta klasike kthehet në një pjatë të plotë.

Klikoje.al ju sugjeron që të provoni kombinimin e patëllxhanëve dhe domateve për një përfundim aromatik dhe me shije fantastike.

Përbërësit për 4 persona

  • 8 vezë
  • 350g patëllxhanë
  • 40g djathë kaçkavall
  • Kripë
  • 2 lugë gjelle vaj ulliri
  • 300g domate qershi
  • 2 qepë të njoma
  • Borzilok
  • Piper i zi
  • Vaj për skuqje

Përgatitja

Nisni me përgatitjen e patëllxhanëve duke i larë me ujë të bollshëm dhe duke hequr pjesën e bishtit.

Më pas pritini në kubikë të vegjël dhe skuqini lehtë në një tigan me pak vaj ulliri.

Kur të keni mbaruar me skuqjen e tyre lërini në një pjatë me letër kuzhine, kështu largohet yndyra e tepërt.

Ndërkohë, vazhdoni me përgatitjen e perimeve të tjera.

Grini hollë qepët e njoma, ndërsa domatet qershi pritini në dy pjesë.

Tek tigani ku skuqët patëllxhanët shtoni edhe pak vaj ulliri dhe hidhni qepët e njoma.

Lërini të skuqen pak dhe më pas shtoni domatet qershi duke u dhënë shije me kripë dhe piper të zi.

Mundohuni t’i përzieni sa më pak që forma e domateve të mos prishet.

Kur të shihni që qepët dhe domatet janë skuqur shtoni copat e patëllxhanit gjithashtu edhe borzilokun e grirë.

Ndërkohë në një tas rrihni vezët duke i bashkuar me djathin kaçkavall.

Nëse dëshironi ju sugjerojmë që të përdorni edhe djathin e bardhë për një shije akoma edhe më speciale.

Pasi ta keni përzierë mirë masën kalojeni në tigan mbi perimet.

Lëreni të skuqet për 2-3 minuta dhe më pas mbulojeni tiganin me kapak duke e lënë në zjarr të ulët.

Me këtë metodë omëleta do të piqet me avujt e saj duke e bërë më të shëndetshme dhe me shije perfekte.

Pasi të kenë kaluar 5-6 minuta kthejeni omëletën nga ana tjetër duke përdorur një pjatë.

Lejojeni që të skuqet lehtë edhe nga ana tjetër dhe më pas mund ta shërbeni për të dashurit tuaj.

Related posts

Pogaçe e ëmbël – Receta e shijshme që kënaq gjithë familjen!

Akullore me kos dhe fruta – Receta me freski dhe shije perfekte!

Si të përgatisni ujin e freskët me shalqi me plot vlera!