Reçel me feta hurme – Ja si ta përgatisni këtë ëmbëlsi unike vetë në shtëpi

Sezoni i hurmave ka trokitur tashmë dhe është koha të provojmë edhe reçelin e tyre.

Nëse ka një shije që nuk mund t’i rezistosh dot, ai është reçeli i hurmës. Vërtet shumë pak i dëgjuar por një mrekulli me shije e pazakontë kur gatuhet në një recetë unike reçeli.

Hurmat mund të shijohen në formën e tyre të plotë, por kur bëhen reçel përballesh një ëmbëlsi befasuese krejt ndryshe nga të tjerat.

Reçeli i hurmës është ekzotik dhe i shijshëm saqë është kthyer në një traditë të mirëfilltë për amvisat shqiptare.

Hurma është një frut bujar dhe i pasur në vlera. Ajo përmban shumë antioksidantë, ndihmon në rënien në peshë, përmban shumë fibër, mban nën fre dëshirën e tepruar për të ëmbla, mbron sytë dhe sistemin tretës.

Ndiqni më poshtë recetën, për të përgatitur krejt lehtë në shtëpi reçelin kremoz të hurmave.

Si të përgatisim reçelin e hurmave 

Përbërësit

1.5 kilogramë hurma të pjekura ( jo të qullëta)
1 kilogramë sheqer
1 limon i ndarë në gjysmë

Ndiqni me përpikmëri udhëzimet

Qëroni hurmat nga lëkura dhe pritini në feta. Merrni një tenxhere dhe përzieni sheqerin me fetat e hurmave.

Shtrydhni lëngun e një limoni dhe shtojeni tek hurmat e sheqeri në tenxhere.

Përziejini të gjitha mirë dhe më pas mbulojeni enën. Lërini hurmat të marinohen për disa orë.

Më pas, merrni tenxheren ku janë marinuar hurmat dhe vendoseni në zjarr.

Pasi masa të ketë marrë valë, lereni të ziejë për 15 minuta duke e përzierë vazhdimisht me një lugë druri.

Tregoni kujdes pasi duhet ruajtur forma e fetave të hurmës.

Kur reçeli të jetë bërë do të ngjitet në mënyrë të njëtrajtshme në lugë.

Reçeli do të trashet gjatë ftohjes. Mos harroni të hiqni prej tij copat e limonit.

Mbushni kavanozët dhe sigurohuni të lini pak hapësirë bosh nga gryka e kavanozit. Pastroni grykën e kavanozit përpara se ta mbyllini fort me kapak.

Më pas, vendosini kavanozët në ujë dhe ziejeni për 10 minuta.

Kështu do të largohet ajri i tepërt dhe reçeli mund të ruhet për më gjatë. Më pas hiqini nga uji dhe vendosini në banak të ftohen.

Nëse hapet njëri prej kavanozëve, reçeli duhet ruajtur në frigorifer dhe duhet konsumuar brenda dy javësh.

Related posts

Pilaf me kinoa – Receta e veçantë me plot shije!

Pogaçe e ëmbël – Receta e shijshme që kënaq gjithë familjen!

Akullore me kos dhe fruta – Receta me freski dhe shije perfekte!