Kryeministri, Edi Rama e ka nisur konferencën e jashtëzakonshme për mediat për megaskandalit të rrjedhjes së 630 mijë pagave të shqiptarëve, duke u justifikuar se kjo ndodh kudo në botë dhe se sistemi i mbrojtjes së të dhënave edhe këtu si kudo është i cenueshëm nga sulmet kibernetike.
Sipas Ramës ndërhyrja nga hakerat është minimal në sistem, por është i madh nga individët brenda. Gjithashtu Rama i ka dhënë direktiva prokurorisë, që të thërrasë të gjithë inspektorët që kanë akses në sistem.
Rama gjithashtu pretendon se kjo rrjedhje e paprecedentë e të dhënave konfidenciale të shqiptarëve është bërë për qëllim të destabilizimit të vendit.
“Dua tu kërkoj ndjesë të gjithëve që janë shqetësuar me plot të drejtë në këtë ndërhyrje në këtë aspekt të jetës së tyre private dhe dua ta nënvizoj se kjo është një ngjarje e cila meriton të hetohet imtësisht. Uroj dhe shpresoj e u bëj thirrje organeve ligjzbatuese që ta kryejnë këtë hetim me të gjitha kapacitet e tyre dhe dëshiroj të ndaj me publikun se në këndvështrimin tim nuk është e vështirë të shohësh se këtu ka një qëllim jo fort të vështirë për tu kuptuar për të krijuar konfuzion dhe për të nxitur destabilitet në një përpjekje që nuk është e para. Duke pasur parasysh edhe në deklaratat të bëra nga Foltoret e Kuvendeve të anti-kuvendeve mund të mos jetë e fundit, thirrja ime është që të hetojë duke kërkuar që të përgjigjen të gjithë inspektorët e tatimeve të cilët kanë akses në sistemin e pagave për arsye të punës, ato që aktualisht punojnë në këtë sistem, apo të tjerë që mund të jenë të larguar”, tha Rama.