Në një dalje për mediat, kryeministri Edi Rama iu përgjigj pyetjes së një qytetari lidhur me strategjinë ekonomike të Lulzim Bashës.
Ai ironizoi programin ekonomik të kreut të PD-së, duke thënë se strategjia e tij është “të uli prodhimin e qumështit dhe të rrisë prodhimin e djathit”.
Rama i referohet atij që e konsideron angazhim të Bashës për të ulur sigurimet shoqërore dhe të rrisë pensionet, çka sipas kryeministrit është e pamundur pasi pensionet varen nga sigurimet shoqërore.
“E keni dëgjuar nga miku im i fjetur Lulzim Basha, do ulim sigurimet shoqërore dhe do rrisim pensionet. Pensionet financohen nga sigurimet shoqërore. Sot Shqipëria ka ende një deficit të trashëguar, sepse paguan më shumë pensione se sa ka. A mund të ndodhë që të ulësh prodhimin e qumështit dhe të rrisësh prodhimin e djathit. Mund të ndodhë, por që të jetë djathë jo kubik prej niseshteje. Po ndodh, ndodh në gjumin e Lulit. Të gjithë ata që duan ti bien shkurt, siç i ka rënë opozita kur ka pas çelësat në dorë. Nëse gjërat që janë bërë këto 7 vjet, do ishin bërë 17 apo 27 vjet më para do ishte ndryshe. Por i ka rënë shkurt, herë më Suden, herë me Saliun. Nuk mundet dot ta bëjnë të gjatë rrugën e Shqipërisë duke i kërkuar që ti bjerë shkurt”, tha Rama.