Nga Lezha ku prezantoi kandidatët për deputetë të PS, kryeministri Edi Rama ironizoi listën e PD-së në këtë qark, duke u shprehur se janë vënë në krye Marku dhe Gjekmarkaj, që sipas tij janë “dy personazhe qesharake të klubeve mediatike që do të vijnë për weekend” në qytetin bregdetar.
“Në PD të Lezhës i është vënë në krye Marku dhe Gjekmarku, dy personazhe qesharake të komedive të klubeve të mbrëmjes mediatike, dhe një zonjë që nuk banon këtu. Faktikisht nëse ne do të arrijmë objektivin tonë maksimal që është të kemi 4 deputetë, të tre deputetët e PD do të jenë banorë Tirane që do vijnë në Lezhë për të pirë ndonjë kafe të shtunave dhe do bëjnë sikur do flasin me elektoratin, ndërkohë që ne i kemi njerëzit këtu.
Ky është respekt për qytetarët këtu. Siç kemi bërë përgjithësisht me të gjitha zonat. Ku jemi vendosur përfaqësues të territorit, njerëz që jetojnë në territor, që i dinë hallet e njerëzve, që në mëngjes duhet të dalin nga shtëpia këtu, jo në Tiranë, dhe që do të kthehen këtu, nuk do të shkojnë të vazhdojnë një jetë, midis Parlamentit, klubeve mediatike dhe shtëpisë në Tiranë dhe ta përdorin Lezhën apo Vlorën vetëm për ndonjë weekend pseudo-institucional”, tha Rama.