Puna nga shtëpia apo zyra/ Çfarë preferojnë punonjësit Shqiptarë pas Covid-19

Puna nga shtëpia, që nisi si një opsion i detyruar nga karantina, tani është kthyer në një normalitet për disa kompani dhe profesione kyçe.

Korporatat e mëdha po aplikojnë rotacionin, ku deri në 50% e stafit, në departamente të caktuara, punojnë nga shtëpia, ndërkohë që paralelisht kryejnë investime në sisteme.

Kompanitë e Teknologjisë së Informacionit pohojnë se bizneset po bëjnë “presion” që kontratat e reja, të zbatohen sa më shpejt, për shkak të frikës së një mbylljeje të dytë.

Paralelisht po investohet në disa drejtime si automatizimi i proceseve, sistemet ERP apo të menaxhimit të klientëve.

Fiskalizimi dhe maturimi i biznesit janë dy faktorë të tjerë, përveç pandemisë, të cilët po ndikojnë në kërkesën për investime në teknologji.

Kompanitë, punë me rotacion nga shtëpia për disa departamente

Tendenca e punës në distancë u evidentua sidomos gjatë karantinës së detyruar, kudo në botë, përfshirë edhe Shqipërinë në periudhën mars-maj. Por, në realitet, jo të gjitha profesionet kanë mundësi ta aplikojnë këtë. Për shembull, ndërtimi, një sektor që nuk e ndali punën në asnjë moment, nuk mund t’i zhvendoste kantieret “online”, por vetëm disa procese pune.

Po kështu, edhe sektori bankar. Zyrat e administratës, pra të degëve qendrore mund të punojnë nga shtëpia (diçka që ende vazhdon), por për degët ku marrin shërbim klientët, puna nuk mund të bëhet në distancë. Korporatat e mëdha, edhe sot e alternojnë punën nga shtëpia. Paralelisht, ato po bëjnë investime në sisteme, që ua lehtëson procesin e punës në kushtet e pandemisë. Armand Frangu, drejtor ekzekutiv i kompanisë B360, thotë se pozicionet e punës të mirëfillta për të punuar nga shtëpia janë ende jashtë kulturës sonë të punës.

“Ka rezultuar shumë e suksesshme në lloje institucionesh apo biznesesh të ndryshme sistemi miks: 2-3 ditë shkon në zyrë full-time dhe 3 ditë punon nga shtëpia. Gjëja më e mirë që mbeti nga pandemia është se bizneset përmirësuan sistemet e komunikimit, punës nga shtëpia e ndarjen e detyrave” – nënvizon ai.

Elvin Nosi, Drejtor i Burimeve Njerëzore i Grupit BALFIN, pohon se muajt e parë të pandemisë shërbyen si provë për stafin, kur puna nga shtëpia ishte ende e pa eksploruar masivisht, por vetëm për pak pozicione.

“Për disa pozicione të caktuara, në funksione të tilla si IT apo Komunikimet, puna nga shtëpia praktikohet me gjerë, ku rreth 40 – 50% të stafit punojnë me rotacion nga shtëpia. Këto përvoja të zgjeruara të punës nga shtëpia na kanë shërbyer për të nxjerrë në pah problematika të mundshme që lidhen me infrastrukturën teknike dhe angazhimin në punë, të cilat adresohen rast pas rasti nga strukturat përkatëse. Nisur edhe nga kjo situatë, ne jemi duke investuar në përmirësimin e infrastrukturës sonë teknologjike, për të mundësuar punën në distancë për disa pozicione” – tregon ai.

COVID-19 zhvillon trendin e hapësirave fleksibël, puna nga shtëpia ende larg

Karantina detyroi bizneset që brenda ditës të kalonin nga kultura e punës në zyrë në atë të shtëpisë. Sigurisht në rastet kur kjo ishte e mundur. Por sa eficente ka qenë praktika në tërësi.

Jonian Antoni, nga Century21, tregon se në fillim kjo ishte diçka pozitive, pasi njerëzit po punonin edhe jashtë orarit, por më pas, kur masat kufizuese u hoqën ndarja e kohës së punës dhe asaj me familjen nuk po bëhej shumë e qartë.

“Fillimi i pandemisë dhe fillimi i metodës work from home (punë nga shtëpia) u duk interesante dhe premtuese për nga rendimenti që po jepte, pasi tek ato biznese që e kishin të mundur ta aplikonin këtë mënyrë të punuari, rendimenti u rrit për një kohë të shkurtër, duke qenë se mungesa e orareve bëri që njerëzit të punonin edhe overtime (jashtë orarit). Më pas u vu re që kjo nuk ishte më produktive, pasi individët po ngatërronin pjesën dhe kohën e shpenzuar me dhe për familjen me pjesën e punës” – pohon ai. Kjo bëri që me lehtësimet dhe heqjen e karantinës, bizneset të kthehen në zyra, por këtë herë me një trend të ri, atë të hapësirave fleksibël.

“Pas heqjes së karantinës duket se kompanitë u janë rikthyer planeve të tyre të zhvendosjes, kësaj radhe duke qenë më të kujdesshme në planifikimin e brendshëm hapësinor, si dhe krijimin e hapësirave të brendshme me shumë përdorim nga përdorues të ndryshëm. Pra janë përpjekur për të sjellë pak atë që në gjuhën e pasurive të paluajtshme komerciale e quajmë hapësirë fleksibël, e cila mund të përdoret nga shumë përdorues në ditë të ndryshme të javës.

Ky reagim i tregut vendas është i ngjashëm edhe me reagimin e tregjeve të tjera më të zhvilluara, ku hapësira tradicionale e zyrave nuk po zvogëlohet, por vihet re rritja e hapësirave fleksibël të preferuara nga kompanitë në zhvillim e sipër, të cilat nuk dëshirojnë të lidhen ligjërisht me kontrata afatgjatë, shumë të vështira për t’u ndryshuar apo për t’u prishur nga ana e qiramarrësve” – shprehet Stela Dhami, nga Colliers International Albania.

Burimi: Monitor

Related posts

Shoqërohen në polici përfaqësues të degës së PD-së në Elbasan (EMRAT)

Monedhat e huaja thellojnë rënien/ Kursi i këmbimit për ditën e sotme, 27 shtator 2024

Luhatje të papërfillshme në monedhat e huaja/ Kursi i këmbimit, 22 gusht 2024