Pse Perëndimi është superior ndaj pjesës tjetër të botës

Aleanca de facto dhe gjithnjë e më e dukshme midis Rusisë dhe Kinës, po bën që lufta aktuale në Ukrainë të nisë të duket pak më shumë si një front në një përplasje më të madhe qytetërimesh. Në librin e tij të famshëm të mesit të viteve 1990 me këtë emër, Samuel Hantington, e përmendi kështu një partneritet të tillë: “Rusia dhe Kina e bashkuar do ta anonin me vendosmëri ekuilibrin euroaziatik kundër Perëndimit, dhe do të ngjallnin të gjitha shqetësimet që ekzistonin për marrëdhëniet sovjetike-kineze në vitet 1950”.

Nëse kjo është shumë serioze në lidhje me situatën aktuale – të dyja vendet nuk janë zyrtarisht aleate dhe fuqia ushtarake ruse nuk është ajo që ishte dikur – nuk ka dyshim mbi aspektin qytetërues të luftës së sotme gjeopolitike. Kjo nuk do të thotë se blloqet e mëdha civilizuese janë të rreshtuara kundër njëra-tjetrës apo në aleancë, siç e mendonte të mundshme Hantington, por që një armiqësi ndaj Perëndimit si e tillë, i gjallëron kundërshtarët tanë kryesorë.

Në një fjalim të mbajtur vitin e kaluar, Vladimir Putin kritikoi si zakonisht “dominimin e pandërprerë të Perëndimit mbi çështjet botërore”, dhe e fajësoi atë për ndalimin e atyre që ai i konsideron si “qytetërime të kategorisë të dytë”. Presidenti Xi ka folur me terma të ngjashëm, edhe pse në një mënyrë më elegante.

Ai beson se vendi i tij është në prag të ofrimit të “një opsioni të ri për vendet e tjera” dhe “një qasjeje kineze për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet njerëzimi”. Pra me pak fjalë, e jona “do të jetë një epokë që e sheh Kinën duke u afruar më pranë skenës qendrore”.

Si Rusia po ashtu edhe Kina motivohen në këtë sjellje agresive nga një pakënaqësi e madhe për poshtërimet e kaluara dikur, që ndihen ende si shumë të freskëta. Prandaj ato po synojnë ta rrëzojnë nga pozicioni aktual Perëndimin si një mjet për të arritur vendin e tyre të merituar në botë, jo vetëm për sa i përket fuqisë, por edhe respektit dhe statusit.

Dhe Ukraina është pjesë e ambicieve ruse dhe kineze. Ju mund të thoni se mbështetja perëndimore për Ukrainën është shumë e kushtueshme, e pakujdesshme, ose të dyja bashkë. Se Ukraina është një vend shumë i korruptuar, ndaj nuk mund t’i besohet dhënia e miliardave ndihmë.

Zgjerimi i NATO-s e trembi Rusinë dhe e provokoi atë të niste këtë sulm. Por nga ana tjetër nuk ka asnjë dyshim mbi epërsinë morale dhe politike të Perëndimit ndaj kundërshtarëve të tij autoritarë që përfaqësojnë traditat perandorake më të korruptuara dhe helmuese.

Sigurisht, qytetërimet ruse dhe kineze kanë meritat e tyre për arritjet e mahnitshme kulturore. Udhëheqësit dhe diplomatët tanë duhet ta pranojnë gjithmonë këtë fakt. Por nëse Vladimir Putin thotë se e cilëson veten si mbrojtës ndaj “qytetërimeve të kategorisë të dytë”, kjo e ka një arsye.

Dy mijë vite pas Athinës dhe disa qindra vjet pas revolucionit modern demokratik, Rusia dhe Kina nuk kanë arritur asnjëherë që të krijojnë shoqëri të qëndrueshme, demokratike dhe të hapura. Të dyja këto vende drejtohen nga 2 presidentë të përjetshëm e të korruptuar që i burgosin dhe vrasin kundërshtarët e tyre.

Të hidhëruar apo ziliqarë për suksesin e Perëndimit modern, dhe veçanërisht të Amerikës, ata ëndërrojnë që të rivendosin një version të perandorive të tyre autoritare të dikurshme. Të dyja kanë kryer krime të tmerrshme, ku përfshihet vrasja dhe burgosjen e miliona njerëzve në të kaluarën e tyre jo shumë të largët.

Madje Kina po kryen edhe tani që flasim një gjenocid ndaj një pakice. Natyrisht këto vende kanë edhe dallime midis tyre.

Rusia gjendet në një kaos që e ka shoqëruar gati gjithmonë përgjatë historisë së saj. Fuqia e saj buron kryesisht nga burimet e mëdha natyrore, ndërsa Kina ka arritur një rritje të jashtëzakonshme ekonomike, teknologjike dhe ushtarake, duke përfaqësuar aktualisht një sfidë serioze për Shtetet e Bashkuara që mund të eklipsojë kërcënimin e dikurshëm sovjetik.

Tani, është e vërtetë që bërthama e Perëndimit, bota anglishtfolëse, është fajtore për jo pak tmerre: tregtia transatlantike e skllevërve, keqtrajtimi i popujve vendas, diskriminimi racor. Por pyetja është krahasuar me çfarë? Sepse krahasuar me pjesën tjetër të botës, dhe veçanërisht me regjimet që po na sfidojnë aktualisht, jemi shumë larg njëri-tjetrit.

Perëndimi mund të jetë naiv, i pamend, budalla apo vetëshkatërrues, por nuk është keqdashës apo i lig. Ai përfaqëson përparimin më të madh në liri, në zhvillimin gjithëpërfshirës dhe në vetëqeverisje në gjithë historinë njerëzore dhe modernitetin siç e njohim ne sot.

Ai ka krijuar një respekt të ri për individin dhe të drejtat e njeriut. Ai krijoi një sistem ndërkombëtar të shteteve sovrane vetëqeverisëse duke pasur si normë kundërshtimin e luftërave për zgjerimet territoriale. Krijoi politika ku parësor është sundimi i ligjit.

Po ashtu, ai krijoi një qeveri të përgjegjshme që i nënshtrohet miratimit ose mosmiratimit të popullit. Që të gjitha këto gjëra janë të urryera për kundërshtarët tanë. Tani, ata së bashku me kritikët e brendshëm të Perëndimit, do të thonë se gjithçka është e ndërtuar mbi gënjeshtra apo se është e minuar nga hipokrizia jonë e dukshme.

Por gati asgjë për të cilën Perëndimi akuzohet zakonisht nuk është unike për Perëndimin. Skllavëria? Ajo i ka paraprirë Perëndimit dhe ekzistoi edhe shumë kohë pasi Perëndimi e kishte eliminuar atë nga shoqëritë e tij. Lufta? Është një dukuri endemike e natyrës njerëzore, siç tregohet nga dëshmitë e vdekjeve të dhunshme që përpara organizimit politik në shkallë të gjerë dhe sjelljes së shoqërive tribale bashkëkohore.

Kolonializmi? Ju lutem. Po arabët, parthianët, mongolët, hanët dhe me radhë, për të mos përmendur aztekët apo komançët? Njerëzit e arsyeshëm mund të mos bien dakord rreth politikës së Ukrainës, por nuk ka asnjë diskutim se cili nga garuesit në këtë garë midis qytetërimeve është superior në çdo lloj mënyre. Perëndimi duhet të kuptojë pse është kaq i veçantë dhe çfarë e ushqen armiqësinë e atyre që duan ta rrëzojnë atë nga piedestali.

Related posts

“Profecia” e asteroidit të Nostradamusit bëhet e vërtetë?! Ja çfarë thotë parashikuesi

Dhunoi barbarisht partneren se nuk pranonte ndarjen/ Gazetari i njohur e pëson keq

MOMENT TRAGJIK! Një burrë humbet jetën pas sulmit të peshkaqenit në gjirin e…