Ambasada holandeze, në Tiranë, ka reaguar pas publikimit të progres-raportit për Shqipërinë. Në njoftimin e ambasadës thuhet se qeveria holandeze do të japë vlerësimin e saj zyrtar në javët e ardhshme dhe vendimi për qëndrimin zyrtar të Holandës pritet të merret në nëntor.
“Në datën 6 tetor, Holanda, gjithashtu, mori paketën vjetore të zgjerimit të publikuar nga Komisioni Europian, pjesë e të cilës është dhe raport-progresi për Shqipërinë, për 2020.
Si zakonisht, qeveria holandeze do t’i dërgojë një vlerësim të kësaj pakete parlamentit në javët në vijim. Kjo do të vijohet nga një debat sipas procedurave parlamentare. Do të jetë takimi i Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në nëntor ku do të diskutohet paketa e zgjerimit”, shprehet ambasada.
Ambasada holandeze njofton, gjithashtu, se është angazhuar të përditësojë rregullisht parlamentin sa i takon çështjes së zgjerimit të BE-së.
“Sikurse është rënë dakord me Parlamentin, qeveria holandeze është angazhuar të përditësojë, rregullisht, parlamentin sa i takon çështjes së zgjerimit të BE-së. Diskutimet e djeshme në parlament ishin pjesë e këtij angazhimi.
Dje, parlamenti holandez diskutoi, shkurtimisht, një letër që ministri i Jashtëm, Blok, i pati dërguar parlamentit në datë 4 shtator. Letra i referohej draftit të kuadrit të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, shpërndarë nga Komisioni Europian në datën 1 korrik dhe që së fundmi po diskutohet në Bruksel”, thuhet në njoftim.