Priste një ofertë nga Vllaznia, Edi Martini i ashpër me drejtuesit: Kush është Plori? Nuk më erdhi telefonata nga Xhaferi

Trajneri Edi Martini, deklaroi në emisionin “Skaner” në MCN TV, se e priste një telefonatë nga Vllaznia, për drejtimin e skuadrës shkodrane.

Martini zbuloi edhe arsyet e largimit nga Teuta, ndërsa duke u kthyer te Vllaznia, tha se duhen këllqe që të flitet për titullin kampion, që sipas tij, dikush i ka dhe dikush jo.  

“Së pari dua të them, se për disa arsye të miat të mija doja të isha në Shkodër. Doja të isha në shtëpi për arsye personale dhe më duhej të largohesha nga Durrësi. Nuk kam pasur kontakte me asnjë nga Vllaznia. Besoja se mund të vinte një kontakt nga presidenti Xhaferri. Çuditërisht nuk erdhi ky kontakt. Nuk kam asnjëlloj zhgënjimi. Më vjen mirë për Memellin që ka ardhur në SHkodër dhe i uroj suksese. E kam filluar futbollin te Vllaznia, kam dhënë gjithçka për atë fanellë. Në këto kushte mendoja se mund të kishim një bashkëpunim.

Për mua në sezonin e fundit, Vllaznia ishte ekipi më i mirë në Superiore. Kishin dy formacione dhe ishin të frikshëm, i kam parë kështu në sezonin e fundit.

Duhet të mësohesh me tituj dhe të flasësh për atë. Të flasësh për këtë, duhen këllqe. Dikush i ka, dikush jo. Bëjnë mirë që nuk flasin për titullin. Unë uroj dhe shpresoj ta arrijnë këtë. Është një rrugë e gjatë. Shumë shpejt për të folur. Titulli do këllqe për tu fituar.

Me Vllazninë kampionë kemi dalë me trajnerë shkodranë. Vllazninë më shumë e respektojnë jabanxhinjtë, sesa ne vetë. Vllaznia është diçka private, të drejtën e ka marrë Xhaferri. Unë e kam shok dhe janë vendimet e tij. Në këtë drejtim nuk jam i zhgënjyer. Nëse nuk i dhemb atij që ka hedhur lekët, pse të na dhimbset ne të tjerëve?!”

I pyetur për drejtorin Elvis Plori, nëse ai ka ndikuar në vendim, Martini deklaroi se nuk e njeh. Shkodrani u shpreh se i ka dhënë mendime presidentit Xhaferri, por shtoi se duket se ai nuk ka nevojë për to, pasi ka stafin e vet.

Me ironi, Martini tha se do të shkojë ta shikojë Vllazninë në stadium, te pjesa e tifozëve, pasi te tribuna VIP, ka shumë specialistë.

“Kush është drejtori aktual te Vllaznia?! Unë nuk e njoh. Nuk e di për kë bëhet fjalë. Nuk kam çfarë të diskutoj. Vllaznia është e Shkodrës, nuk është e individëve. Nuk kam asgjë për të thënë për këtë.

Unë sa herë jam takuar me presidentin Xhaferri, i kam dhënë mendimet e mia. Unë kam parë, që nuk ka shumë nevojë për mendimet e mia, sepse ka stafin e vet. Memellit i uroj suksese. Futbolli kështu është. Unë dua që të gjithë kolegët të ecin mirë në rrugën e tyre.

Tifozët shkodranë, janë më kritikët. Janë të dashuruar me futbollin. Unë jam i bindur se Memelli me punën e tij, mund t’i bindë tifozët që ta mbështesin. Tifozët janë të acaruar, por Vllaznia nuk është një person, një individ. Është një histori ku çdo njeri ka vënë pjesën e tij.

Teuta dhe presidenti Hasanbelliu, janë dy gjëra të afërta për mua. Kisha shkuar atje deri në qershor. Për momentin dua të vazhdoj këto që kam nisur këtu në Shkodër. Në të ardhmen, rrugët mund të na bashkohen sërish. Te Teuta kam arritur një sukses, që nuk e di nëse do e arrij ndonjëherë tjetër në jetën time.

Vllazninë do e shikoj nga pjesa e tifozëve te 20-shja, sepse te pjesa me çati ka shumë specialistë.”, tha Martini.

Related posts

“Rivalë kemi vetëm Egnatian dhe Vllazninë”, Bytyçi në prag të sfidës ndaj Laçit: E presim me entuziasëm, do ia dalim

Ish-portieri rumun nuk njeh limite, komenton Kosovën: Në kohën tonë do i rrihnim, erdhën me planin gati

E FUNDIT/ Vllaznia nis punën e rinovimeve, mbrojtësi firmos deri në vitin 2026 (FOTO)