Prindër dhe mësues, mos heshtni, identifikoni dhe trajtoni dhunën tek fëmijët

Fëmijët përfaqësojnë një nga grupet më vulnerabël të shoqërisë. Mirëqënia dhe zhvillimi i shëndetëshëm i tyre i janë besuar të rriturve që janë përgjegjës për ta, ku hyjnë prindërit, kujdestarët, ligjorë, edukatorët, dhe të afërmit. Megjithatë, ndodh që prindi, kujdestari, personi të cilit është besuar kujdestaria e përhershme, apo e përkohshme e neglizojnë apo e keqpërdorin këtë përgjegjësi, nëpërmjet formave të neglizhencës, moskujdesjes, apo të ushtrimit të dhunës. Në raste të tilla fëmijët bëhen viktima të vazhdueshme të abuzimit dhe dhunës. Në raste të tilla janë aktorët socialë, si familja, shkolla, komuniteti, ata që duhet të vihen në lëvizje dhe të marrin në mbrojtje fëmijën. Dhe për ta bërë një gjë të tillë është e domosdoshme që ata të njohin cilat janë format e abuzimit ndaj fëmijëve dhe cilat janë shenjat indentifikuese të tyre.

Më poshtë po ju ofrojmë disa udhëzime që do t’ju ndihmojnë në indentifikimin e rasteve të neglizhimit apo abuzimit të fëmijëve.

Format e dhunës ndaj fëmijëve

Sipas OKB, me dhunë ndaj fëmijëve kuptohen ‘të gjitha format e dhunës fizike ose mendore, lëndime dhe abuzime, neglizhencë, keqtrajtim ose shfrytëzim, përfshirë abuzimin seksual’.

Neglizhimi është dështimi nga ana e një prej prindërve apo kujdestarëve të fëmijës për t’i mundësuar fëmijës plotësimin e nevojave bazë. Neglizhimi mund të jetë fizik, mjekësor, emocional apo edukativ. Neglizhimi fizik ka të bëjë me dështimin për t’i siguruar fëmijës ushqimin dhe strehimin e nevojshëm apo mungesë të një kontrolli të përshtatshëm. Neglizhimi mjekësor është dështimi për të siguruar trajtimin e nevojshëm mjekësor apo për shëndetin mendor. Neglizhimi edukativ është dështimi në edukimin e fëmijës apo në mundësimin e edukimit në raste kur fëmija ka nevoja të veçanta.

Ngacmimi përfshin sjellje e qëllimshme dhe agresive që ndodhin në mënyrë të përsëritur kundër fëmijës, kur ekziston një e vërtetë ose perceptim që çekuilibron qetësinë e viktimës, e cila ndihet e dobët për të mbrojtur veten. Sjellja e padëshiruar mund ta prekë viktimën fizikisht ose verbalisht, nëpërmjet ngacmimeve, fyerjeve dhe kërcënimeve; ose përmes përhapjes së thashethemeve dhe përjashtimit nga grupi.

Dhuna/ abuzimi fizik është dëmi fizik aktual ose potencial që u shkaktohet fëmijëve nga një person tjetër, qoftë fëmijë apo i rritur. Disa nga format e abuzimit fizik janë: rrahja, goditja me këmbë/ me objekte, kapja prej fyti/ flokësh; rrahja me rrip/ shkop/ sende të tjera të forta; djegia me shkrepse/ cigare, me ujë të nxehtë etj. Dhuna ndodh më shpesh në mjediset e komunitetit nga të njohurit, ose të huajt, përfshirë ngacmimin dhe sulmin fizik me ose pa armë (të tilla si armë dhe thika), dhe mund të përfshijë edhe dhunën nga banda.

Abuzimi/ dhuna emocionale dhe psikologjike përfshin kufizimin e lëvizjeve të një fëmije, denigrimin, talljen, kërcënimet dhe frikësimin, diskriminimin, refuzimin dhe forma të tjera jo-fizike të trajtimit armiqësor. Abuzimi emocional ndodh kur, në mënyrë të vazhdueshme, një person që është në pozita besimi, pushteti dhe autoriteti sulmon vetëbesimin e një personi tjetër në mënyre verbale ose jo verbale. Disa nga format e abuzimit emocional janë: të bërtiturit, sharjet, këcënimi, mallkimi, mosvlerësimi i aftësive të fëmijës për të bërë diçka etj. Keqtrajtimi i vazhdueshëm dëmton në mënyre serioze zhvillimin e fëmijëve.

Abuzimi/ dhuna seksuale është çdo formë e përdorimit të fëmijëve për qëllime ose kënaqësi seksuale. Sipas OKB, çdo akt seksual, përpjekje për të kryer marrëdhënie seksuale, komente të padëshiruara seksuale, tentativë trafikimi, ose përdorimi i seksualitetit të një personi nëpërmjet detyrimit, nga çdo person, pavarësisht marrëdhënies me viktimën, në çdo mjedis, duke përfshirë por jo vetëm, në shtëpi dhe punë konsiderohet dhunë seksuale.

Bulizmi është dëmtimi i qëllimshëm i tjetrit, në mënyrë të përsëritur, nga dikush që është në pozita autoritetit/ pushteti (më i forti). Shpesh bulizmi shkaktohet nga fëmijët ndaj fëmijëve. Sjelljet përmes të cilave shfaqet bullizmi përfshijnë: vënien në lojë, thumbimin, kërcënimin, zhvatjen etj. prej një apo më shumë personave ndaj viktimës. Bulizmi është abuzim, jo konflikt. Bulizmi mund të ndodhë ballë për ballë, ose nëpëmjet mjeteve të komunikimit virtual si, përmes telefonave, internetit ose paisjeve të tjera personale.

Abuzimi online i fëmijëve kryhet nga më të rritur që e përdorin teknologjinë për t’i dëmtuar dhe/ apo abuzuar fëmijët. Dëmtimi apo abuzimi në këtë rast shfaqet në formën e dërgimit të sms-ve apo maileve abuzive dhe të turpshme, mesazheve joshëse për t’i përfshirë në abuzime seksuale, ose përmes përdorimit të kameras së kompjuterit /telefonit për të shfaqur imazhe të papërshtatshme ose për të diskutuar rreth temave të papërshtatshme.

Dhunë me bazë gjinore ndodh kur dhuna drejtohen ndaj vajzave ose djemve për shkak të seksit të tyre biologjik ose identitetit gjinor secila prej formave të dhunës mund të përbëjë dhunë me bazë gjinore.

Identifikimi i abuzimit dhe dhunës tek fëmijët

Të kuptuarit e abuzimit është një çështje që përfshin prindër, mësues, psikologë, mjekë, etj. por që shpesh herë kërkon kohë për t’u identifikuar dhe vërtetuar. Në shumicën e rasteve është e vështirë që abuzimi të verifikohet dhe të vërtetohet. Veçanërisht i vështirë për t’u konstatuar është abuzimi emocional i fëmijëve edhe pse ai është po aq i dëmshëm sa çdo formë tjetër abuzimi. Abuzimi emocional dëmton në mënyrë serioze zhvillimin e fëmijës, vetëvlerësimin dhe vetëbesimin, imazhin pozitiv për veten, shkakton problem të ndërveprimit me bashkëmoshatarët, etj. Prindërit, mësuesit dhe kujdestarët duhet të tregohen të vëmendshme për të dalluar që në fillim shenjat që edhe pse nuk vërtetojnë që abuzimi po ndodh, paralajmërojnë për një situatë të mundshme abuzimi. Format e ndryshme të abuzimit të fëmijëve shfaqin tipare dhe shenja të veçanta.

Po cilat janë disa nga shenjat që ndihmojnë në identifikimin e shunës tek fëmijët?

Shenja fizike të dukshme ose jo, mund të jenë: enjtje, fryrje, të nxira, thyerje të kockave apo djegiet në pjesë të ndryshme ndaj kur këto shenja janë të forta, të mëdha dhe të qendrueshme, duhet të dyshohet se fëmija mund të jetë i abuzuar fizikisht;

Po ashtu, një fëmijë i dhunuar mund të shfaqi çrregullime dhe shqetësime fizike edhe në organet gjenitale në formën e gjakrrjedhjes, skuqje, acarim, infeksione të vazhdueshme të rrugëve urinare.

Një fëmijë i abuzuar apo dhunuar psikologjikisht apo fizikisht shfaq ndryshime të menjëherëshme humori dhe probleme me gjumin dhe ushqimin. Fëmija i abuzuar apo i dhunuar ndryshon regjimin e zakonshmë të gjumit: nuk fle dot ose fle më shumë se zakonisht. Fëmija mund të shfaqi një sjellje ekstreme me ushqimin duke ngrënë fare pak, ose nuk ka të ngopur.

Fëmija fillon të shfaqë probleme në shkollë, në formën e mosdisiplinimit, ulje e vëmendjes, rënien e menjëhershme në nota, humbje të pashpjegueshme kujtese, lodhje të vazhdueshme, apati  apo agresivitet i shtuar, paaftësi për të bërë shokë dhe shoqe.

Në famije, shkollë dhe në komunitet mund të shfaqi probleme emocionale, të tilla si frikë nga errësira, ëndrra, makth, trauma në gjumë, frikë nga një person ose vend specifik, izolim, depresion, ankth, tentativë për vetëvrasje, përdorimi i gjuhës / fjalorit seksual jo të përshtashëm për moshën, sjellje e tepruar seksuale me të tjerët, kontakte të papërshtashme seksuale me fëmijë të tjerë, sjellje vetëshkatërruese (përplasje e kokës, dëmtim i vetes, dëmtime në organet gjenitale).

Në mënyrë të veçantë prindërit dhe mësuesit duhet të tregohen të vëmendshëm dhe të kujdesshëm për të identifikuar këto shenja dhe për ta investiguar situatën e fëmijës pa e dëmtuar më tej atë. Në këtë pikë, është e domosdoshme të kërkohet ndihma dhe mbështetja e profesionistëve të fushës si mjekët dhe prkologët për fëmijë si dhe të vijen në dijeni institucionet përgjegjëse për garantimin e mbrojtjes së fëmijës së dhunuar apo të dyshuar si viktë të dhunës.

Prindër dhe mësues, mos harroni: Një fëmijë i shpëtuar sot, është një individ i suksesshëm nesër, një familje e fortë dhe shoqëri më e mirë në të ardhmen.

*Ky artikull u zhvillua nga Together for Life në kuadër të projektit “Mbrojtja e fëmijëve nga dhuna dhe abuzimi nëpërmjet edukimit gjithëpërfshirës”, i cili zbatohet në kuadër të skemës së granteve të vogla të projektit “Promovimi i të drejtave të njeriut nëpërmjet arsimit gjithëpërfshirës dhe fuqizimit të Organizatave të Shoqërisë Civile Lokale” i financuar nga BE dhe i zbatuar nga “Shoqata Internacionale për Solidaritetin në partneritet me Fondacionin AVSI dhe shoqatën Gruaja në Zhvillim Shkodër.

Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Together for Life dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE

Related posts

4 Faktorët kryesor që rrisin tensionin e gjakut

Kura energjike për tretjen dhe stomakun – Uthull molle, kanellë, xhenxhefil

Ky frut ka vlera të mëdha edhe kur e konsumoni të ngrirë!