Presidenti i ri/ Ja sa ka ndikuar Linda Rama tek Edi Rama

Meqënëse për presidentin e ri, dihet vetëm se do të jetë një “ajo”, jo një “ai”, thashethemet kanë fluturuar shumë lart. Në analizë është secila nga gratë që ka qenë, është apo mund të jetë afër Edi Ramës. E shkuara, marrëdhëniet personale, ato profesionale, interesat, miqësitë, profilet, kriteret etj janë në skaner, për të gjetur se kush do të jetë fatlumja që do të kurorëzohet kryetare e shtetit.

Vetë Rama po e shijon thashethemnajën si një shije e pushtetit, që ka arritur pas 8 vitesh në pushtet. Që është në kontakt me thashethemet, e pranoi, kur doli të mohojë emrin e Vali Bizhgës si kandidate për presidente.

“Ky proces i zgjedhjes së presidentit është një proces që stimulon maksimalisht thashethemet dhe përzihen në vorbullën e thashethemeve gjithfarë emrash e gjithfarë njerëzish në të shumtën e herës pa dëshirën e tyre fare, siç është edhe rasti në fjalë për të cilën ju më bëtë pyetjen kështu që përgjigjja ime është negative” tha kryeministri këtë të hënë, kur u pyet për kandidaturën e Vali Bizhgës, Drejtore e Kabinetit qeveritar.

Thashethemet nxiten kur gjërat janë bëhen personale. Dhe në rrafshin personal, është vetëm një grua që mund të dëgjohet nga kryeministri, bashkëshortja e tij Linda Rama.

Emri i saj u përmend para pak ditësh nga analisti Baton Haxhiu, që tha se e shihte si kandidate për presidente. Që ajo e ndikon, si grua e shtëpisë nuk e fsheh as Edi Rama. Pikante ka qenë deklarata në Kongresin e Partisë Socialiste dy vite më parë, kur në prani të të gjithë ekzekutivit, Rama u shfaq si një burrë i nënshtruar ndaj bashkëshortes. Sapo Linda Rama përfundoi fjalën e saj në Kongres, Rama u çua dhe tha:

“Ishte shumë më e moderuar këtu se dje në shtëpi. Rrofsh moj grua që më kurseve në sy të gjithë këtyre shoqeve. Jam i qartë se kusurin do e marr në Surrel, me pasion. Për gjithë çfarë nuk u tha këtu. Ju qeshni. Qeshni ju! Por e vërteta është që po mos e kisha në shtëpi këtë opozitën që dëgjuat para meje në versionin rozë, me atë opozitë që kemi në rrugë, do isha më i madhi i krejtve në vend”.

Shakaja, gjysma e të vërtetës. Linda Rama e plotësoi gjysmën tjetër një vit më vonë, në një intervistë me Ilva Taren, ish-drejtoreshën e Euronews dhe ish-Drejtuese e Bordit të Soros në Tiranë.

“Si e përkufizoni ndikimin tuaj tek Edi Rama?” ishte pyetja e Ilva Tares që zbuloi teknikën dhe këmbënguljen, me të cilën Linda Rama arrin të ndryshojë mendimin e bashkëshortit.

“Edi nuk është debatues i lehtë. Është shumë i bindur. Që të debatosh me një debatues jo të lehtë dhe të bindur dhe pasionant, duhet të dish të rezistosh. Unë rezistoj me argumentet e mia. Unë nuk heq dorë kollaj” tha Linda Rama.

Në intervistë, ajo foli edhe për presidentin pas Ilir Metës. Për të parën herë ishte Linda Rama që pohoi se ka ardhur koha për një presidente grua.

Ka ardhur momenti në Shqipëri? Është e mundur të ketë një kryeministre apo një presidente grua?
Linda Rama: Unë besoj që momenti ka qenë kohë më përpara. Ka qenë dje, ka qenë pardje. Ka qenë dhe që në fillim të tranzicionit, ditën një të kërkesës për demokraci që ne kemi pasur, mundesisht edhe nje grua kryeministre, grua presidente, gra ministre sepse investimet në arsim këtu nuk kanë filluar në vitin ’90 dhe kualifikimet shpalosjet intelektuale kanë qenë për dekada të ushtruara në këtë vend.

Ky pohim i Linda Ramës një vit më parë është shndërruar në një qëndrim politik të Partisë Socialiste sot. Por jo vetëm kaq. Një vit më parë, Linda Rama bëri një pohim tjetër, me të cilin paralajmëroi një qëndrim të Edi Ramës për gratë ministre dhe deputete të Partisë Socialiste.

“Unë nuk i shoh këto gra, aq sa duhet në nivelin e misionit. Ato nuk janë ngritur në nivelin e misionit, ato thjesht përpiqen të performojnë në punën e tyre. Duhet hequr egoja personale, duhet të mendojnë se aty nuk janë se janë më të mirat” – thoshte znj. Rama në intervistën e saj për Euronews.

Pohimi i atëhershëm i parapriu përjashtimit që vetë Rama u bëri grave deputete dhe ministre të Partisë Socialiste, si kandidate për presidente. Sipas Ramës, asnjëra prej tyre nuk ishte kandidate për kryetare e shtetit dhe emri do të vijë jashtë grupit parlamentar.

Kush e ndjek sadopak politikën në Shqipëri, e ka të qartë se procesi kushtetues për zgjedhjen e presidentit ka degraduar në tallje. Propozimet e deputetëve me zarfa dhe emailet nga populli janë qesharake. Partia Socialiste po tenton të krijojë një proces negociatash me një pjesë të Partisë Demokratike dhe disa aleatë të vegjël të opozitës, por edhe ky duket një proces ende pa thelb.

Në kushtet kur Edi Rama i ka të gjitha votat, është e qartë se reflektimi për emrin e presidentes së re është thellësisht personal. Madje intim. Në këtë sens, Linda Rama është ajo që ka çelësin për të kontrolluar proceset reflektuese të Edi Ramës dhe këtë e ka treguar tashmë hapur.

“Edi duket sikur nuk reflekton. Dhe unë nuk e pres menjëherë. Tani jam mësuar të mos e pres menjëherë reflektimin e Edit. Unë them gjykimin tim. Reflektimin e Edit, ti mund ta shohësh të nesërmen, mund ta shohësh pas një jave ose pas një muaji. Mund edhe të mos e shohësh. Por ai reflekton. Dhe kjo është dinamikë shumë motivuese. Edi të motivon, të vazhdosh me të, pikërisht për këtë lloj shkaku. Për të kaluar te “opozita” që më thotë Edi. Unë nuk jam e bezdsishme. Jam selektive për atë që i them Edit. Unë ndaloj tek ato fenomene, ngjarje, momente që mendoj se paraqesin një interes të posaçëm publik. Pikërisht tek ato insistoj” ka thënë Linda Rama, që duket se sot kontrollon një proces, që i ka dalë nga duart edhe Kushtetutës edhe partive, edhe të gjithë sistemit politik.

Related posts

A mund të drejtojë Argita Malltezi PD-në?! Habit Bardhi me përgjigjen e tij

Mblidhet kryesia e PD, ja data kur do të mbahet protesta kombëtare

Deklarata e fortë e Spiropalit: Unë dhe treçereku i ministrave e deputetëve mund të mos jemi më në…