Prapaskenat/ Juventusi fiton 3-0 në tavolinë, ja pse e pësoi Napoli

Juventusi fiton kundër Napolit 3-0… në tavolinë. Ashtu siç ishte paralajmëruar gjatë gjithë ditës së shtunë dhe konfirmuar edhe dje, me Ligën e Serisë A që konfirmoi disa herë me radhë dhe i bëri apel Napolit që të udhëtonte drejt Torinos, frenimi që Agjencia Sanitare Lokale (ASL) e krahinës së Kampanias urdhëroi, bëri që Elseid Hysaj me shokë ta paguanin shtrenjtë këtë urdhër, i cili binte ndesh me protokollin e UEFA-s dhe të FIFA-s.

Ky dokument për anën sportive, detyrimisht i zbatueshëm, ishte firmosur pikësëpari nga Këshilli Teknik Shkencor (CTS), që hartoi planin e pandemisë për Italinë dhe më pas nga kryeministri i vendit, Xhuzepe Konte. Prandaj, me vendimin e marrë nga enti lokal i Kampanias, ndonëse ai shëndetësor, urdhri i tyre shkonte ndesh me vendimet e qeverisë dhe protokollin sportiv, duke bërë që me mosparaqitjen e tyre, skuadra e Napolit të humbë në tavolinë ndeshjen me Juventusin.

Bardhezinjtë, nga ana e tyre, dje u rreshtuan sipas orarit në terrenin e lojës, në “Allianz Stadium”, së bashku me arbitrat e përzgjedhur për sfidën. Pas pritjes prej 45 minutash, siç e kërkon rregullorja, arbitri ka vërshëllyer fundin dhe automatikisht fitoren e Juves në tavolinë 3-0. Pa dyshim që Napoli do të ketë të drejtën e apelimit, por duke parë edhe reagimet e protagonistëve, duket se ky vendim vështirë se do të kthehet mbrapsht dhe Juventus-Napoli mund të luhet rregullisht në një datë tjetër.

FLET ANDREA ANJELI

Pas fitores së Juves në tavolinë, në konferencë për shtyp u paraqit presidenti bardhezi, Andrea Anjeli, i cili foli për situatën e krijuar: “Jam dakord që kjo situatë e krijuar të zbardhet, por në të njëjtën kohë them se kemi një protokoll shumë të qartë, lidhur me rastet kur një futbollist apo më shumë rezultojnë pozitiv me ‘COVID’. Rregullorja flet qartë dhe asnjë ASL (Agjencia Sanitare Lokale) nuk mund të ndërhyjë në mosrespektimin e protokollit.

Madje, jam i bindur se falë tij do të arrijmë që ta çojmë deri në fund këtë kampionat dhe gjithçka rezervon sezoni futbollistik. Për se zbritëm në fushë? Sepse Juventusi respekton zbatimin e pushtetit dhe ligjit. Juventusi ka zbatuar përpikmërisht protokollin dhe kaq, – shprehet Anjeli, i cili i pyetur nëse ka pasur një bisedë me presidentin e Napolit, Aurelio de Laurentis, pranoi.

– Po, kam shkëmbyer disa mesazhe me Aurelion dhe i nënvizova se Juventusi, si gjithmonë, u përmbahet rregulloreve. Ai kërkonte që ndeshja të shtyhej, por ne nuk mund të mos aplikonim protokollin. Fitorja 3-0 në tavolinë? Unë pëlqej të fitoj në fushë, gjithmonë. Në disa ndeshje kemi parë se zhvillimi i tyre nuk anulohet, pavarësisht rasteve, ndaj…”, u shpreh numri një i kampionëve.

LIGA DHA SHEMBUJT

Për dy ditë me radhë, Liga e Serisë A ka shtyrë Napolin që të paraqitet rregullisht në fushë, për të zbatuar protokollin e firmosur në fillim të këtij sezoni. Madje, gjatë prononcimit të saj zyrtar, Liga u ka kujtuar të kaltërve, por edhe Agjencia Sanitare Lokale (ASL) e krahinës së Kampanias, se po gabonin rëndë, pas pozitivitetit të dy futbollistëve, Zielinski edhe Elmas, duke u dhënë edhe shembujt e fundit:

“Si rrjedhojë e konfirmimit të dy raste pozitive në skuadrën e Napolit, pavarësisht frenimit që mund të ketë ardhur nga ASL-ja e krahinës, në asnjë germë të justifikimit të tyre nuk përmendet protokolli i Federatës Italiane të Futbollit për zhvillimin e ndeshjeve, duke thyer kështu rregulloren e miratuar nga Këshilli Teknik Shkencor dhe Ministria e Shëndetësisë.

Prandaj, duke u bazuar në normat specifike, protokolli edhe në rastin e Napolit duhej zbatuar, si për shembull në rastin e skuadrës së Torinos për ndeshjen me Atalantën; të Milanit që duhej të udhëtonte në Krotone; të Xhenoas që luajti në transfertë në ‘San Paolo’ me Napolin, apo edhe të Atalantës sot (dje), në duelin kundër Kaljarit, pas rezultimit të një futbollisti me virus. Protokolli është i detyrueshëm, pasi vetëm kështu mund të garantohet përfundimi i sezonit të Serisë A”.

DE LAURENTIS

Pak orë përpara orarit të ndeshjes mes Juventusit dhe Napolit, presidenti i të kaltërve, Aurelio de Laurentis, i dërgoi një letër të hapur Ligës dhe Federatës Italiane për motivet që e shtynë atë dhe skuadrën e tij që të merrte këtë vendim: “Dua të specifikoj se skuadra e Napolit donte të udhëtonte në Torino dhe të luante ndeshjen, pavarësisht rasteve pozitive, por dua të nënvizoj fort se skuadra jonë u frenua nga Agjencia Sanitare Lokale. Prandaj, i bëj thirrje Ligës dhe Federatës që të kuptojnë kërkesën tonë dhe të vendosin që ndeshja me Juven të shtyhet dhe të riluhet në një datë të ardhshme, por kurrsesi të merret vendimi i humbjes sonë në tavolinë 3-0”.

Burimi: Panorama.al

Related posts

Teuta e nis sezonin me rinovime, dy titullarët pjesë e skuadrës edhe për një sezon

AF Elbasani gjen menjëherë zëvendësuesin e Nevil Dedes, pritet firma me trajnerin e njohur

Filip Najdovski bën prapakthehu, mbrojtësi hedh firmën mbi kontratë (FOTO)