Pogradeci arriti një fitore të rëndësishme në ndeshjen e parë Play Off të Kategorisë Superiore. Skuadra liqenore mposhti në transfertë Burrelin me rezultatin minimal falë golit të realizuar nga Jeton Krasniqi në minutën e 21-të të takimit. Me fitoren e sotme, Pogradeci ditën e hënë do të përballet me Besën e Kavajës që siguroi kualifikimin falë barazimit me Apoloninë me shifrat 1-1. Fitorja e ditës së sotme ndaj Burrelit në transfertë është bërë e madhe në kampin e skuadrës liqenore.
Festa ka nisur që pas përfundimit të takimit në Burrel, klubi i Pogradecit ka nisur festën me synimin për të mposhtur dhe skuadrën e Besës së Kavajës.
Fitorja e ditës së sotme ka entuziasmuar dhe presidentin e Pogradecit, i cili ka shpërblyer lojtarët të gjithë me premio. Në videot më poshtë shihet dhe festa e madhe e kampit të klubit të Pogradecit, nga drejtuesit e deri tek lojtarët liqenorë.
DEKLARATA E VANGJEL ZGUROS
Ekipi liqenor tashmë do të përballet me Besën e Kavajës që triumfoi në sfidën e sotme ndaj Apolonisë. Kapiteni i Pogradecit Vangjel Zguro ka reaguar pas fitores së sotme.
“Liqenorët ju përshëndesin nga Burreli. Shihemi në “Elbasan Arena” kundër Besës së Kavajës, Superiore na prit, forca Pogradeci”, shkruan Zguro në rrjetet e tij sociale. Miqtë e drejtuar nga Ardian Mema, u treguan më konkretë në pjesën e parë të ndeshjes, duke sulmuar e gjetur avantazhin me Krasniqin. Më pas ata u mbrojtën me kujdes duke mbajtur larg portës sulmin e vendasve për të mos shënuar një gol barazimi që do të favorizonte ekipin e Burrelit falë formulës së këtij turi.