“Po ndjek 2-3 lojtarë nga Superliga”/ Trajneri Sylvinho i tregon medias braziliane Shqipërinë : Objektivi është kualifikimi në Europian

Trajneri më i ri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho, ka folur për aventurën si “timonier” i kuqezinjve në median e famshme braziliane, “Estadao”. 48-vjeçari u emërua në janar në krye të Shqipërisë, duke zëvendësuar Eduardo Rejën në stol, me ambicien e qartë për të kualifikuar kuqezinjtë në “Euro 2024”.

Misioni nuk është aspak i lehtë, megjithatë, në deklaratën e dhënë së fundmi në shtypin brazilian, Sylvinho është shfaqur tejet optimist dhe më dëshirën e madhe për të rritur futbollin shqiptar.

”Kur pranova ofertën e Shqipërisë, e dija mjaft mirë që synimi i tyre ishte një trajner i huaj. Qëllimi kryesor është të kualifikohemi në “Euro 2024”.

Kam udhëtuar në vitet e fundit qoftë në Brazil, Japoni, Australi apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. M’u deshën pesë vite për përfundimin e kursit të UEFA-s.

Kam humbur pushime të rëndësishme. Ne, brazilianët, jemi trajnerë të mirë, që dimë të punojmë, jemi premtues dhe pa dyshim duam kohën tonë. Unë jam i lumtur që jam mes tyre.”

Gjatë intervistës, Sylvinho tregoi edhe një nga elementet më të rëndësishme, që është gjuha.

Braziliani u shpreh se shqiptarët ndikohen shumë nga Italia dhe komunikimi i tij i rrjedhshëm në gjuhën italiane do ta ndihmojë jashtëzakonisht gjatë kësaj periudhe, ndërsa ka hedhur poshtë mundësinë për të mësuar gjuhën shqipe.

Zgjedhja e tij për të jetuar në Shqipëri së bashku me asistentin Doriva u prit si surprizë nga opinioni, por braziliani shtoi se është tejet dobiprurëse.

”Gjuha shqipe është një nga më të vështirat e botës. Ndryshe nga sa thonë njerëzit, puna këtu në Shqipëri nuk mungon. Merremi me shumë analiza, përmbledhje, klipe lojtarësh nga 90 minuta prej secilit prej 30 futbollistëve të mundshëm që do të thirren.

Së paku, shtatë futbollistë do të thirren nga Serie A. Nga tri udhëtimet e rëndësishme, dy ishin drejt Italisë. Të tjerët luajnë në Angli, Spanjë, Turqi dhe Greqi. Unë ndjek dhe kampionatin vendas teksa kemi vënë re 2-3 futbollistë të rinj me shumë talent për të qenë pjesa jonë. Do të jem i drejtpërdrejtë me ju, kam besim se mund të kualifikohemi në Evropian pasi grupi është vërtetë i balancuar.”

Më 5 mars, Sylvinho do të publikojë listën përfundimtare të lojtarëve që do të jenë të grumbulluar për sfidat e para eliminatore. Në datën 20, futbollistët do të paraqiten në Shqipëri ku do të përgatiten për një javë deri në ndeshjen e parë në Varshavë kundër Polonisë. Në grupin E, përveç polakëve, janë dhe Republika Çeke, Ishujt Faroe dhe Moldavia.

Related posts

“Rivalë kemi vetëm Egnatian dhe Vllazninë”, Bytyçi në prag të sfidës ndaj Laçit: E presim me entuziasëm, do ia dalim

Ish-portieri rumun nuk njeh limite, komenton Kosovën: Në kohën tonë do i rrihnim, erdhën me planin gati

E FUNDIT/ Vllaznia nis punën e rinovimeve, mbrojtësi firmos deri në vitin 2026 (FOTO)