Shqipëria mundet edhe nga Suedia. Pas disfatës kundër Kilit, edhe në këtë përballje kuqezinjtë pësojnë një tjetër disfatë, por këtë herë me një rezultat më të butë me shifrat 1-0. Ndryshe nga ndeshja e Parmës, këtë herë lojtarët shfaqën dëshirë dhe ide në lojë. Një skuadër e kujdesshme në mbrojtje, që mbyllte mirë hapësirat e kundërshtarit dhe dilte me shpejtësi me Armando Brojën, që i vetëm mbajt lart skuadrën dhe peshën e sulmit, duke u shndërruar në një rrezik konstant për mbrojtjen suedeze.
Mesfusha ishte më e gjallë me pasime të shpejta dhe vertikalizime të sakta, pa harruar edhe shpërthimet e Brojës i cili në minutën e 12′ lëvizi mjaft mirë në zonën kundërshtare, por arbitri i mohoi një penallti të pastër. Shqipëria pati edhe disa mundësi për gol me Bajramin dhe Qazim Laçin, por pa mundur të ishin të saktë.
PJESA E DYTË
Në pjesën e dytë, pikërisht në minutën e 62′ në një moment pakujdesie Suedia do të shënonte me Nilsson në atë goditje me kokë, në të cilin Strakosha mund të kishte bërë më mirë. Në minutat e mbetura, Shqipëria tentoi të barazonte takimin, por pa mundur. Vërshëllima finale la në fuqi rezultatin minimal 1-0 për suedezët, megjithatë këtë herë Sylvinho ka arsye për të qenë optimist dhe më në fund për të nisur të mendojë zyrtarisht për Europianin e Gjermanisë, tashmë me idetë shumë më të qarta në lidhje me 23 futbollistët që do të marrë me vete.