Një pjesë të faturës së dështimit të Partizanit në sezonin e fundit do ta paguajnë lojtarët që zhgënjyen, ku bëjnë pjesë edhe ata që nuk u afruan te pritshmëritë. Largimet pritet të jenë të shumta në radhët e “demave” në prag të fillimit të punës për sezonin e ri. Drejtuesit po përpilojnë listën e spastrimeve, e cila gradualisht do të bëhet e ditur. Mësohet që gjatë mbledhjes së djeshme, trajnerit Shehi i është bërë e ditur që të përgatitet edhe për largime emrash me peshë në ekip, pasi për të kompensuar të ardhurat e munguara nga fitimi i trofeve, klubi do të shesë të paktën dy lojtarë.
Më herët janë përmendur emrat e Maguette dhe Rrapajt, që pritet të transferohen jashtë vendit gjatë merkatos së verës. Mbetet për të parë sesi do të operojë klubi, do t’i shesë direkt apo do t’i përdorë fillimisht në turin e parë të Conference League. Krahas larimeve, bordi drejtues dhe trajneri Shehi do të përgatisin edhe listën e dëshirave të merkatos, në mënyrë që të plotësohen mangësitë që ka ekipi, si dhe të afrohen lojtarët që i shkojnë përshtat filozofisë së lojës së stafit teknik.
Largimet pritet që të prekin edhe organikën drejtuese, ku më i rrezikuari mbetet drejtoi Arbër Abilaliaj. Madje, te dështimet e fundit të Partizanit flitet se kanë ndikuar edhe ndërhyrjet menaxheriale për aktivizimin e ndonjë elementi, që nuk ka qenë në formën e duhur.