Partizani ka triumfuar në derbin e kryeqytetit ndaj Dinamos me rezultatin 0-2, në takimin e javës së 27-të të Abissnet Superiore, duke bërë një hap të rëndësishëm në renditje. Me këtë fitore, të kuqtë parakalojnë Dinamon dhe ngjiten në vendin e katërt, pozicion që të çon në Play-Off, ndërsa Tirana vijon të kryesojë këtë zonë me 42 pikë, ndërsa Dinamo mbetet me 39 pikë.
Ndeshja nisi me ritëm dhe emocione nga të dyja skuadrat. Në minutën e 21-të, Dinamo gjeti rrugën e rrjetës me një aksion të ndërtuar nga e majta. Fadairo depërtoi dhe pasoi në qendër, ku topi përfundoi te Hjumën që mposhti portierin Teqja. Megjithatë, festa e bluve zgjati pak, pasi goli u anulua për pozicion jashtë loje, vendim që u konfirmua edhe nga sistemi VAR.
Partizani arriti të zhbllokojë rezultatin në minutën e 37-të. Pas një goditjeje këndi, Murataj harkoi nga krahu i djathtë dhe në zonë u gjend Martinez, i cili me një goditje të saktë me kokë dërgoi topin në rrjetë, duke mposhtur Teqjen dhe duke kaluar të kuqtë në avantazh.
Në pjesën e dytë, Partizani goditi sërish. Në minutën e 50-të, një aksion i shpejtë i nisur nga e djathta u finalizua nga Dumbia. Topi u zhvendos në hyrje të zonës, ku mesfushori lëshoi një gjuajtje të fortë që përfundoi në rrjetë, duke dyfishuar shifrat në 0-2.
Dinamo reagoi menjëherë dhe në minutën e 53-të iu afrua golit me një goditje dënimi spektakolare të Bregut. Megjithatë, portieri Qirko ishte në lartësinë e duhur, duke bërë një pritje të jashtëzakonshme dhe madje duke u përplasur me shtyllën për të shmangur golin.
Në fund, Partizani administroi avantazhin dhe mori tre pikë shumë të rëndësishme në garën për zonën e Play-Off-it, duke lënë pas rivalin e qytetit në klasifikim dhe duke ndezur edhe më shumë garën në javët e fundit të kampionatit.