Partizani e nisi sezonin 2025-2026 mes shumë zhgënjimesh teksa vetëm shkarkimi i trajnerit serb Mladen Milinkoviç dhe emërimi i teknikut Oltijon Kërnaja bënë që situata të ndryshonte në kampin e kryeqytetasve.
Trajneri Kërnaja e ka shprehur gjithnjë dëshirën për të afruar lojtarë të rinj në merkaton e janarit, një dëshirë që të paktën për momentin nuk i është plotësuar nga ana e drejtuesve të klubit.
Aktualisht, përtej emrave që mund të qarkullojnë, te Partizani nuk ka asnjë zyrtarizim për sa i takon afrimeve në këtë merkato janari. Drejtuesit kanë menduar më shumë për merkaton në dalje teksa Viktor Da Silva dhe Xhudah Garcia janë tashmë të larguar. Braziliani e mbylli me zhgënjim aventurën e dytë në radhët e “Demave të Kuq” duke u aktivizuar në vetëm pesë ndeshje, ndërsa Garcia regjistroi vetëm 11 paraqitje mes kampionatit dhe Kupave të Europës pavarësisht se mbërriti në kryeqytet nga grekët e AEK-ut të Athinës ku aktivizohej me skuadrën B të grekëve. Kështu, koha në merkato nuk pret më për Partizanin me ndeshjet e radhës që janë vetëm disa ditë larg.
Koha nuk është në favorin e kryeqytetasve duke ditur se afrimet e reja do të kërkojnë kohën e tyre për t’u përshtatur me “Demat e Kuq” dhe futbollin e kërkuar prej trajnerit Kërnaja, i cili në rast se drejtuesit nuk do të mundeshin t’ia përmbushnin dëshirat, do të detyrohej që të “arnonte” formacionin dhe të kthente sytë sërish nga lojtarët e rinj si dhe të shpresonte që dëmtimet të mos e penalizonin organikën e “Demave”.