Partizani ditën e djeshme është rikthyer në fushën e lojës. Pas disa ditësh pushime, Skënder Gega dhe drejtorët rikthyen ekipin sërish në fushë.
Europa nuk pret dhe për këtë te të kuqtë janë mjaft të vetëdijshëm. Kështu klubi gjithçka mesditën e djeshme e ka nisur me një mbledhje, ku të pranishëm ishin edhe futbollistët. Stafi dhe drejtuesit kanë kërkuar nga futbollistët vlerësim maksimal në mënyrë që ekipi të ecë sa më larg.
Pjesë e stërvitjes ishin gjithsej 19 futbollistë, ku padiksutim bie në sy mungesa e lojtarëve që iu ka përfunduar kontrata. Kështu Gjelbrim Taipi ishte i pari që njoftoi largimin nga Partizani ditën e djeshme dhe rrjedhimisht nuk ishte pjesë e ekipit. Njëjtë ndodhi edhe sot me Anteo Osmanllarin që zytarizoi largimin.
Ndërkohë bashkë me ta munguan edhe Bintsouka, Eleke dhe Domgjoni. Të 3 futbollistët janë të lirë dhe deri në këto momente nuk ka patur ndonjë marrëveshje për rinovimin. Stërvitja e djeshme e skuadrës duket se ka “konfirmuar” 3 të larguarit e radhës, ndërsa mbetet të presim vetëm zyrtarizimin nga palët.
Partizani ka nisur një periudhë reflektimi mbi vendimet që duhet të merren. Tashmë që Europa afrohet çdo ditë e më shumë, të kuqtë kanë nisur punën për zgjidhjen e disa çështjeve kryesore, që kanë të bëjnë më së shumti me largimet. Skuadra do të mbështetet nga një grup lojtarësh dhe të tjerët janë të gjithë në dyshim, pra, mbeten çështje për t’u zgjidhur te “Demat”. Qëllimi te klubi kryeqytetas është lirimi i hapësirave për afrimet, ku klubi ka nisur kontaktet dhe po punon për të përforcuar ekipin. Në fillim të javës tjetër pritet që skuadra të kthehet në seancat stërvitore dhe klubi të bisedojë mbi kontratat e reja apo kushtet e divorceve të mundshme.
Comments are closed
Add Comment