Paga mesatare në Shqipëri, aktualisht është rreth 430 euro, ndërsa është rritur me 3,3 për qind në krahasim me vitin e kaluar, sipas INSTAT. Ky nivel pagash bazuar në të dhënat e Eurostat për të ardhurat për frymë, e vendos Shqipërinë ,ë paga ndër më të ulëtat në Europë, me 31% të mesatares europiane. Ndikim në këtë nivel të ulët ka informaliteti i lartë në tregun e punës në vend, dukuri që premtoi se do ta kishin prioritet këtë vit autoritetet fiskale, por që nuk ia kanë arritur dot.
Vini re këtë grafik që raporton treguesit për frymë të prodhimit të përgjithshëm të brendshëm.
Edhe pse ky tregues tregon rritje nga viti në vit, ai tregon edhe arsyen e parë e diferencës së pagave me rajonin. Ekonomia jonë kaq prodhon dhe kjo matet me prodhimin e brendshëm bruto për banor. Në rajonin tonë, ne kemi prodhimin e brendshëm bruto për frymë të parafundit në Europë. Ky treg prodhon dhe më pak produkte dhe paga më të ulëta. Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) në Shqipëri ishte me vlerë 15.28 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2019, sipas të dhënave zyrtare të Bankës Botërore. Vlera e PBB-së së Shqipërisë përfaqëson 0.01 përqind të ekonomisë botërore. Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë në Shqipëri u regjistrua për herë të fundit në 2019 në 5209.40 dollarë amerikanë. PBB për frymë në Shqipëri është e barabartë me 41 përqind të mesatares së botës.
Shqipëria ka raportuar gjatë 2019, rritje të punësimit, që nuk ka nxitur prodhimin, por ka ulur më tej produktivitetin e punës në Shqipëri. Instituti i Vjenës për Studime Ndërkombëtare vuri në dukje se, vëllimet e produktivitetit të punës ndryshuan në Shqipëri dhe të gjithë rajonin me tendencë rënie.
Në Shqipëri, punësimi u rit me shumë se rritja ekonomike, për pasojë të punësuarit ndaj më pak fitime nga puna gjatë vitit të kaluar. Në vendet e BE produktiviteti i punës në të gjitha vendet e BE-së është nxitur nga rritja më e lartë e PBB-së sesa në punësim.
Produktiviteti i punës në Shqipëri llogaritet sa një e treta e mesatares së rajonit dhe një e pesta e vendeve më të zhvilluara të BE. Produktiviteti i punës në Shqipëri është më i ulët se 10 mijë euro në vit, krahasuar me 30 mijë euro në Ballkan dhe 50 mijë euro në 11 vendet më të zhvilluara të Evropës. Qoftë edhe vetëm ky tregues e shpjegon edhe debatin e fundit të padobieshëm lidhur me nivelin e pagave në Shqipëri.