Pa koalicione, maxhoranca do ndryshojë Kushtetutën/ Skema e PS dhe e 28 deputetëve për zgjedhjet/ Si penalizohen partitë e vogla

MARIGLEN KUME: Shqipëria ndodhet një hap larg heqjes së koalicioneve parazgjedhore. Dje, në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve, u miratua nen për nen nisma e 28 deputetëve të opozitës parlamentare për ndryshimin e nenit 64 dhe 68 të Kushtetutës.

Draftpropozimi pati mbështetje unanime. Propozimet fillestare të 28 deputetëve pësuan ndryshime nga relatorët.

NDRYSHIMET

Ndryshimi i parë ishte hapja e listave, por kjo nuk u bë në mënyrë të plotë. Listat do të hapen vetëm për dy të tretën e përbërjes së saj, ndërsa një të tretën e deputetëve të ardhshëm do ta përcaktojnë partitë në bazë të votave që do të marrin. Ajo që ra në sy ishte se me riformulimin e pikës 1 të nenit 64 të Kushtetutës saktësohet se deputetët zgjidhen “sipas një sistemi zgjedhjesh proporcional me konkurrim rajonal dhe prag kombëtar”. Në këtë formulim vihet re përdorimi i termit “konkurrim rajonal”, i cili mbetet i paqartë, për sa kohë koncepti i rajonit nuk ekziston si i tillë në ndarjen administrative, ku parashikohen qarqet dhe bashkitë.

PRAGU

Ndryshe nga më parë, me riformulimet e bëra nga maxhoranca dhe 28 deputetët e opozitës në nenin 64 të Kushtetutës, pragu zgjedhor shkruhet në ligjin themeltar të shtetit dhe u caktua prag kombëtar. Ndërkohë, se sa do të jetë pragu, ligjvënësit ranë dakord që të përcaktohet në ligjin zgjedhor. Por çfarë nënkupton pragu zgjedhor kombëtar?! Për ta bërë më të kuptueshëm, marrim një shembull hipotetik. Nëse në zgjedhjet e ardhshme do të votojnë 1 milion e 500 mijë zgjedhës dhe pragu zgjedhor kombëtar caktohet 3%, atëherë subjekti zgjedhor duhet të ketë marrë të paktën 45 mijë vota në të gjithë Shqipërinë për të pretenduar një mandat, në të kundërt votat e tyre digjen. Po ashtu, partitë e vogla dhe të reja, përmes këtij ndryshimi penalizohen edhe nëse një parti konkrete arrin të marrë votat e mjaftueshme në një rajon për të nxjerrë një deputet, por që në rang kombëtar nuk ka plotësuar numrin e votave 45 mijë në shembullin që morëm. Edhe në këtë rast, votat e tyre digjen.

KOALICIONET

Riformulimi i nenit 68 të Kushtetutës, i miratuar dje në Këshillin Legjislacionit dhe që më 30 korrik pritet të miratohet në Parlament, heq mundësinë e koalicioneve parazgjedhore. Ndonëse deri në zgjedhjet e fundit neni 68 sanksiononte që kandidatët mund të propozohen nga një parti politike, koalicion apo nga qytetarët, me riformulimin e djeshëm, kandidatët për deputetë do të propozohen vetëm nga partitë politike dhe qytetarët, duke hequr kështu mundësinë e koalicioneve parazgjedhore.

DEBATI

Relatorja e maxhorancës, Klotilda Bushka, në fjalën e saj tha se pas ndryshimeve të bëra në nenin 64 të Kushtetutës, koalicionet tradicionale nuk mund të arrihen për çështje teknike. “Listat e hapura dhe koalicionet parazgjedhore nuk shkojnë dot bashkë. Sepse, nëse llogarisim nr. e kandidatëve, nëse do ketë koalicione parazgjedhore sipas formulave që kemi pasur deri sot, listat do të ishin pa mbarim. Ndaj, nisur nga këto, ne kemi riformuluar dy nenet”, tha Klotilda Bushka. Ndërsa relatori tjetër nga ana e maxhorancës, Alket Hyseni, propozoi që koalicionet parazgjedhore mund të arrihen duke garuar me listë të përbashkët, një grup partish me një listë të përbashkët. Por, në një kohë që në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore u sanksionua që numri i kandidatëve për deputet në listën e një qarku nuk mund të kalojë me më shumë se dy kandidatë sesa numri i deputetëve në total që nxjerr një qark, atëherë kjo redukton mundësinë që një parti politike, ndonëse në koalicion, të propozojë të gjitha asetet që ajo mendon se janë të nevojshëm për të fituar zgjedhjet. E redukton, pasi do të duhet që në të njëjtën listë të përfshihen edhe emrat e aleatëve. “Kemi diskutuar konceptin e heqjes së koalicioneve. Patjetër që ky sistem bie ndesh. Listat e hapura me koalicionet e bëjnë pamundur, por u jep mundësinë subjekteve politike që të garojnë me lista të përbashkëta”, tha Hyseni. Ndërsa për kreun e 28 deputetëve të opozitës, Myslim Murrizi, heqja e mundësisë për koalicionet parazgjedhore nuk përbën shqetësim, edhe pse, në rast se do të garonte në një formulë të tillë në zgjedhjet e ardhshme, mund ta siguronte me më pak vota mandatin e deputetit sesa të garojë si një parti e vetme. Ai kërkoi që maxhoranca t’i premtojë atij dhe deputetëve të tjerë që prag zgjedhor kombëtar do të presupozohet pragu natyral i një prej 12 rajoneve zgjedhore të Shqipërisë. “Për të garantuar 27 kolegët e opozitës, doja që dikush nga maxhoranca të prononcohet që Kodi Zgjedhor do presupozojë si prag kombëtar, pragun natyral të marrjes së mandateve në një nga 12 qarqet e Shqipërisë”, tha Murrizi. Ndërkohë, diskutimi për përcaktimin e pragut zgjedhor do të bëhet në Komisionin e Ligjeve, ku pritet që të kalojnë edhe amendimet e Kodit Zgjedhor të përgatitura nga Këshilli Politik i Reformës Zgjedhore. Për miratimin e ndryshimeve kushtetuese duhen të paktën 94 vota, ndërsa për Kodin Zgjedhor duhen të paktën 84 vota.

Related posts

Shoqërohen në polici përfaqësues të degës së PD-së në Elbasan (EMRAT)

Monedhat e huaja thellojnë rënien/ Kursi i këmbimit për ditën e sotme, 27 shtator 2024

Luhatje të papërfillshme në monedhat e huaja/ Kursi i këmbimit, 22 gusht 2024