Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka theksuar dje se nuk takohet me persona të shpallur “non grata” duke iu referuar Berishës dhe ka theksuar sërish qëndrimin e saj se njeh Enkejeld Alibeajn në krye të PD.
Berisha tha se këto deklarata nuk janë të vërteta.
Berisha: Zotimi i ambasadores se zyrtarët amerikanë dhe ajo personalisht nuk takohen me persona të dizenjuar është një deklaratë sikur ta kishte bërë Edi Rama. Pse them Edi Rama? Sepse është gënjeshtër, nuk është e vërtetë. Zyrtarë të lartë të Departamentit të Shteti takohen me të dizenjuar apo idhtarë të flaktë të Putinit, si Dodiku. Cila qëndron këtu? Kjo është një gjë e pavërtetë. Ambasadorja sillet si guvernatore.
Berisha theksoi se PD mbetet e vendosur për të zhvilluar marrëdhënie shumë të mira dhe miqësore me SHBA. Sipas tij SHBA është aksioneri kryesor i sigurisë së botës së lirë dhe opozita beson se duhet të japë çdo kontribut të nevojshëm që ky funksion të përmbushet në funksion të vendit dhe paqes në botë.